Mimoza Kusari-Lila: Kurrë s’kemi qenë më keq, Haradinaj është fajtori

Aktuale

Mimoza Kusari-Lila: Kurrë s’kemi qenë më keq, Haradinaj është fajtori

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 07:37
Mimoza Kusari-Lila

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më keq se tash në 20 vitet e fundit, derisa ka theksuar se për rrëzimin e saj ka edhe deputetë të pozitës që do të jepnin votën.

Ajo ka thënë se vendimi i Kushtetueses për Ekipin Negociator është më së paku kontestues.

Kusari-Lila lë fajtor kryeministrin Ramush Haradinaj për izolimin e Kosovës.

“Haradinaj është treguar shumë i papërgjegjshëm me një mori vendimesh. Ai ka dhënë shumë premtime të mëdha, derisa këto duhet t’i bëjë në tavolinën e negociatave por nuk e ka bërë, fatkeqësisht ai ka përkeqësuar raportet me të gjitha institucionet dhe ka izoluar vendin”, ka thënë ajo.

Sipas saj nuk qëndron deklarata e PSD-së se tani presidenti Hashim Thaçi i ka duart e lira në dialogun me Serbinë.

“Absolutisht nuk është e vërtetë që i ka duart e lira presidenti, ai mund të ketë një rol këshillues, por nuk është e vërtetë që ai ka lirinë të negociojë marrëveshjen dhe tashmë po shohim lëvizjet e tij. Ai po përdor letrën e tij, Luginën. Të shohim se çfarë ka ndodh me ekipin negociator, ka filluar të humbë besimi tek të gjithë. Ka humbë ndjeshmëria dhe përgjegjësia e personave që po udhëheqin”, u shpreh Kusari-Lila.

Sipas saj kemi në vazhdimësi skandale që ndodhin në Kosovë dhe izolimin që na bëhet dhe qershia mbi torte është emërimi i spanjollit, Josep Borrell në vend të Mogherinit.

“Kjo tregon se çfarë i ndodh një shteti kur futet në rrugë qorre dhe nuk i merr detyrat që i takojnë. Nëse ne kemi pasur derën gjysmë të hapur gjatë kësaj qeverie na është mbyllur plotësisht”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se nuk beson se kryeministri dhe partitë e koalicionit nuk janë të vetëdijshme për dëmin që po ia sjellin Kosovës.

“Ndoshta kryeministri nuk do të ketë mandat deri në nëntor kur Borrello e merr mandatin, pasi mund të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme në vjeshtë. Jam shumë e bindur se do të ketë edhe deputetë të pozitës që do ta nënshkruajnë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e kësaj qeverie. Tri qeveri deri më tash janë rrëzuar nga deputetët e pozitës. Ndarja e pushtetit, keqpërdorimi i vendimeve të kryeministrit janë më eklatantet që kemi parë deri më tani”, ka thënë ajo.

Sipas saj kurrë më keq Kosova nuk ka qenë se në këto 20 vitet e fundit.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se zhvillimi i kompleksit qeveritar përveç se i ushqen apetitet e pushtetarëve, nuk është asgjë tjetër.

“Kjo qeveri bën vetëm projekte prej së cilës nxjerr para kesh shpejt. Jam kundër kësaj autostrade, pasi nuk ka nevojë të rritjes së asfaltit por investime në ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, ka thënë ajo. “Ne po mbytemi çdo ditë nga ajri i ndotur, derisa vetëm rrisim numrin e ndërtimeve dhe betonit, e këto nuk adresohen por adresohen vetëm ato prej të cilave merr pare shpejt”.

Ajo thotë se ministri Pal Lekaj është sinonim i ministrit me abuzime të vazhdueshme.

“Nuk e di nëse ai do të heqë monopolin në homologim, ai do të duhej ta largonte këtë menjëherë, por duke parë veprimet e deri të tanishme e tërë kjo lë shumë për të dëshiruar”, ka thënë Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat