Reagon zyrtari i Policisë: Do të ngriti padi ndaj IPK-së, dikush do ta paguajë

Aktuale

Reagon zyrtari i Policisë: Do të ngriti padi ndaj IPK-së, dikush do ta paguajë

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 13:55
Halit Pllana

Zyrtari i Policisë së Kosovës, Halit Pllana ka paralajmëruar padi ndaj Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), pas përfshirjes së emrit të tij në mesin e 185 zyrtarëve policor që dyshohen se janë vetë deklaruar në mënyrë të dyshimtë si invalid të luftës.

Siç raportoi Insajderi të martën, kanë kaluar gati 20 vjet e në Policinë e Kosovës vazhdojnë të shërbejnë zyrtarë që janë vetë deklaruar invalidë të luftës, ndonëse vitin e kaluar Prokuroria e Shtetit dhe Inspektorati Policor kishte hapur hetime për këta zyrtarë të dyshimtë.

Insajderi ka publikuar listën e plotë të zyrtarëve policorë që dyshohen se kanë fituar statusin e invalidit të luftës. Bëhet fjalë për 185 zyrtarë të Policisë së Kosovës të cilët po hetohen.

Shumica e tyre kanë shkallën e invaliditetit 20 për qind, por ka të tillë që kanë edhe shkallë më të lartë. Ata ende po vazhdojnë të shërbejnë në Policinë e Kosovës, raporton Insajderi.

E, në një reagim dërguar redaksisë së Insajderit, zyrtari i Policisë së Kosovës, Halit Pllana ka deklaruar se ai është invalid i luftës, i plagosur në vitin 2000. Ka thënë se për këtë çështje ka dëshmi të UNMIK-ut.

“Unë jam [invalid] me vendim nga UNMIK-u në vitin 2000 i plagosur në luftë, atëherë kur e kemi pas obligative paraqitjen para bordeve mjekësore për vlerësim (krejt të plagosurit e luftës që kanë qenë pjesë e ish-TMK-së pas demobilizimit e kanë atë vendim)”, ka deklaruar Pllana.

Ai ka thënë se do të ngrit padi ndaj IPK-së, pasi “më kanë futur në një thes”, siç ka thënë ai, me zyrtarë të Policisë së Kosovës që dyshohet se kanë falsifikuar të dhënat e tyre për të fituar statusin e invalidit të luftës.

“Në paraqitjen e parë para IPK-së i kam paralajmëruar për padi ndaj tyre që më kanë fut në një thes me ‘ata’, ky postim [hulumtim] i juaji i ditës së martë veç ma ka ndihmu”, ka deklaruar ai.

Zyrtari i Policisë së Kosovës ka thënë se hetuesi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) e ka futur atë në një listë me zyrtarët e dyshimtë të Policisë. Ka thënë se dosja e tij mund të verifikohej vetëm nëse do lexohej për pesë minuta.

“Tash mundësia e parë që më jepet, IPK-së kam me iu hap edhe rast zyrtar për hetim ndaj tyre për rrjedhjen e të dhënave tek ju, se mu thjesht përtacia e atij hetuesi më ka futur ne një thes me ata, vetëm dosjen nëse e kish lexu për 5 minuta, jo ma tepër”, ka deklaruar ai.

Pllana ka akuzuar ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakajn, i cili kishte hapur një hetim për rastin e invalidëve të luftës brenda Policisë, se e ka përdorur këtë rast për përfitime të veta.

“Ky rast në përgjithësi nuk ka kurrfarë vlere, sikur ‘hetimi’ i prokurorit Blakaj që e përdori këtë rast për përfitime të veta, edhe atij ju kam vetëofruar për ndihmë (me i identifikuar ata që vërtetë nuk janë) kurrë në jetë nuk mu ka përgjigj (kam 3 emaile dëshmi), edhe këtij hetuesi të këtij rasti në IPK iu kam vetëofruar për ndihmë, ama për dëmin që më ka shkaktuar mua personalisht, dikush do ta paguajë: Shteti, IPK-ja ose vet hetuesi”, ka deklaruar Pllana.

Përmes një hetimi që vitin e kaluar e kishte nisur ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, dyshohej se rreth 200 zyrtarë të Policisë së Kosovës, në mënyrë të dyshimtë kishin fituar statusin e invalidit të luftës, me qëllim përfitimin e pensionit invalidor brenda institucionit të Policisë.

Prokuroria kishte njoftuar Inspektoratin Policor dhe kishte kërkuar nga ky institucion të ndërmarrin masa për suspendimin e këtyre zyrtarëve.

Ndërkaq, në Inspektoratin Policor të Kosovës nuk kanë dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë çështje ndonëse gazeta ka pritur rreth dy javë për përgjigje.

Por, vitin e kaluar Inspektorati Policor i Kosovës, në korrik të vitit të kaluar, kishte njoftuar se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e 94 zyrtarëve policorë të dyshuar si invalidë të luftës.

Dokumentacioni në të cilin ishte bazuar IPK-ja për të nxjerrë rekomandimin e tyre për suspendim, kanë qenë vërtetimet që këta pjesëtarë të Policisë kishin dërguar në institucionet kosovare për të fituar statusin e invalidit të luftës, gjatë procesit për identifikimin e veteranëve të UÇK-së.

Por, tash e një vit, Policia e Kosovës nuk ka marrë asnjë hap lidhur me këtë çështje.

Insajderi ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës në lidhje me invalidët e luftës brenda Policisë së Kosovës, por zëdhënësit e këtij institucioni kanë thënë se PK nuk mund t’i hetojë këta zyrtarë. Kanë thënë se për këtë çështje, ata duhet të marrin rekomandime nga IPK-ja para se të ndërmarrin hapa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat