Mustafa: Ambicia e Luginës për bashkim me Kosovën nuk do të vdes kurrë

Aktuale

Mustafa: Ambicia e Luginës për bashkim me Kosovën nuk do të vdes kurrë

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 17:03
Ragmi Mustafa

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Republikën e Serbisë, Ragmi Mustafa, ka folur rreth idesë së Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për një korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje e problemit që potencialisht do të përfundojë me njohje reciproke mes dy shteteve. Mustafa u shpreh se pa u zgjidhur cështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Kosovës dhe Serbisë duke e konsideruar legjitime ambicien e shqiptarëve për bashkim me Kosovën.

Këshilli Kombëtar Shqiptar është formuar me Miratimin e Ligjit në vitin 2009, për formimin e këshillave kombëtare të pakicave në Serbi. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka mandatin për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që janë me interes nacional të shqiptarëve në Serbi.

Plani për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë që po konsiderohet i vdekur (pas Takimit të Berlinit) e që sipas vlerësimeve të ndryshme do ta ndante Luginën e Preshevës ndërsa Veriu do t’i takonte Serbisë megjithatë nuk është plan që kundërshtohet nga përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Ragmi Mustafa, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Express, ka thënë se megjithatë ideja për një shkëmbim territoresh e prezantuar nga Presidenti Hashim Thaçi, është e pranueshme nga shqiptarët në Luginë të Preshevës. 

Ai thotë se Kuvendi i Kosovës do të nxjerrë një rezolutë për Luginën e Preshevës për t’i ndihmuar atyre sepse sic thotë ai ata nuk kanë alternativa tjera.

Kryetari i KKSH-së u shpreh se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk mund të ketë normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginë së Preshevës ku përfaqësohen të gjitha partitë politike shqiptare në korrik të vitit 2018 ka nxjerr deklaratën politike ku është konstatuar, se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”

Mustafa tha se deklarata politike e korrikut 2018, ka në thelb referendumin e vitit 1992 ku shqiptarët e Luginës së Preshevës janë deklaruar për bashkim me Kosovën.

“Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ka kërkuar; nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të parashtruara me dokumentet përkatëse në këtë Deklaratë. E në thelb është Referendumi i vitit 1992 ku janë deklaruar për bashkim me Kosovën”.

Sipas Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, ambicia legjitime e shqiptarëve për bashkim me Kosovën nuk do të vdes kurrë.

“Pozicioni politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk ka ndryshuar deri më sot. Ambicia legjitime, kërkesa legjitime e shqiptarëve nuk do të vdes kurrë” u shpreh Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat