Vulin: Vendimi i Kosovës është hakmarrës dhe jo politik

Aktuale

Vulin: Vendimi i Kosovës është hakmarrës dhe jo politik

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 20:17
Aleksandar Vulin

Gjatë ditës së sotme, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka marrë vendim që asnjë zyrtari serb të mos i lejohet hyrja në Kosovë.

Vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, që ndalon hyrjen e zyrtarëve serbë, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin po e cilëson si vendim hakmarrës dhe jo politik.

Sipas tij, ky vendim edhe një herë dëshmon se Kosova po largohet nga dialogu me çdo kusht dhe se sipas tij, pavarësisht këtij vendimi të autoriteteve kosovare, lidhjen që serbët e Kosovës e kanë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, askush nuk mund ta ndalojë.

“Pasi ka përjetuar një fiasko me përpjekjet për të detyruar serbët të blejnë mallra të kontrabanduara nga kamionët, tani po përpiqen të ndëshkojnë serbët duke i ndaluar ata ose duke shkelur lidhjet me udhëheqjen e tyre shtetërore”, theksoi Vulin.

Sipas tij, ky vendim nuk është aspak politik por është hakmarrës.

“Ky nuk është vendim politik, ky është ndëshkim. Kjo është një përpjekje dhe zëmërim i tyre për serbët që jetojnë në Kosovë duke u përpjekur që t’ua shkëpusin lidhjet me Qeverinë e Serbisë dhe me presidentin e tyre, Vuçiq. Kjo përpjekje nuk do të jetë e mundur dhe nuk është e mundur sepse nuk do të ketë sukses pasi që kurrë nuk kanë pasur sukses në një gjë të tillë dhe as me këtë vendim nuk do t’ia dalin”, ka thënë Vulin.

Sipas Vulinit, vendimi i Kosovës është një provë për administratën e re të Brukselit dhe për të parë nëse ata janë në gjendje të ushtrojnë autoritetin e tyre dhe të sigurojnë të paktën lëvizjen elementare të njerëzve, pasi që akoma nuk arritën që të sigurojnë lëvizjen e mallrave.

“Shpresoj që administrata e re e Brukselit të braktisë praktikën e njoftimeve në të cilat të dyja palët duhet të përmbahen dhe në të cilën ata vazhdimisht përpiqen të barazojnë Serbinë me udhëheqjen shqiptare”, ka thënë Vulin.

Duhet theksuar se, për shkak të kërcënimeve, inskenimeve në veri e çështjeve tjera, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka marrë vendim që t’ia ndalojë hyrjen në Kosovë zyrtarëve serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat