Rugova: Deklaratat e Hazirit dhe Selmanjat për VV’në nuk janë qëndrim i partisë

Aktuale

Rugova: Deklaratat e Hazirit dhe Selmanjat për VV’në nuk janë qëndrim i partisë

Më: 5 korrik 2019 Në ora: 18:16
Selmanaj, Rugova dhe Haziri

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të binduara drejt rrugës për zgjedhje të jashtëzakonshme në vend. Që të dyja partitë ndajnë mendimin se Qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet sa më shpejt, madje për këtë gjë kishin inicuar edhe një mocion mosbesimi. Përkrahjen e kanë edhe nga partia tjetër opozitare, PSD. Kreu i LDK’së, Isa Mustafa dhe lideri i VV’së, Albin Kurti kishin zhvilluar disa takime për t’u marrë vesh rreth ndonjë koalicioni të mundshëm. Megjithatë, këto dy parti ende i kujtojnë mospajtimet dhe të bëmat e mëhershme kundërshtuese. Nga LDK, dikush thotë se ia kanë falur VV’së hedhjen e gazit lotsjellës dhe vezët drejt tyre në Kuvend, e dikush tjetër pohon se veprime të tilla nuk harrohen asnjëherë, duke e quajtur ‘’Lëvizje të Kuqe’’.

Gjatë kësaj jave dolën dy deklarata kundërthënëse prej LDK’së. E para ishte nga deputeti Driton Selmanaj , i cili tha se partia e tij ia kishte falur VV’së gjuajtjet me vezë e molotov për hir të vendit. Kurse, nënkryetari Lutfi Haziri pohoi se Vetëvendosje është ‘Lëvizje e Kuqe’ dhe se nuk ua harrojnë ato që i kishin bërë në Kuvend gjatë kohës sa Isa Mustafa mbante postin e kryeministrit.

Media ka kontaktuar edhe me nënkryetarin tjetër, Haki Rugovën për të marrë një sqarim rreth qëndrimeve të tyre ndaj partisë tjetër opozitare, Vetëvendosjes.

Rugova thotë se deklaratat e dy kolegëve të tij mund të kenë qenë personale  dhe jo qëndrim i partisë. Por, ai thotë se disa gjëra nuk harrohen asnjëherë, edhe pse deri më tani nuk është diskutuar në kryesinë e tyre rreth faljes apo jo të veprimeve të VV’së.

‘’Unë nuk dua të komentoj deklaratat, as të Lutfiut e as të Dritonit, pasi mund të jenë qëndrime personale. Mirëpo qëndrimi i kryesisë së LDK’së dhe i partisë është ky. Nuk është biseduar rreth faljes apo çfaljes. Natyrisht që në politikë mund të bëhen koalicione të tilla, pse jo.  Mirëpo duhet të jenë të bazuara në programet dhe ideologjinë  dhe nganjëherë duhet të harrohet edhe e kaluara, pa dyshim. Por janë disa gjëra që nuk mund të harrohen bash lehtë dhe është një çështje e cila duhet të trajtohet në organet e partisë. Sigurisht që do të trajtohet dhe bazuar në këto vlerësime që i merr kryesia, atëherë edhe do të marrim qëndrimin unik në rrugëtimin e mëtutjeshëm. Edhe si parti, por edhe për koalicionet e mundshme në të ardhmen’’, ka thënë Rugova.

Tutje ai thekson se bashkëpunimi në opozitë është korrekt, duke mos përjashtuar  një koalicion  të mundshëm me VV’në.

’Është fakt që dy liderët kanë pasë bisedime të vazhdueshme dhe të cilat do të vazhdojnë ende. Por nuk është marrë asnjë vendim rreth koalicioneve të mundshme. Mirëpo bashkëpunimi me opozitën është  i mirëfilltë dhe i mirë. Unë besoj që duhet të bashkëpunohet në opozitë dhe që të dy palët, tash ta quaj, së bashku jemi për hyrjen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Atëherë varet edhe në koalicione të përbashkëta, si opozitë me shku në zgjedhjet e ardhshme’’’, shton nënkryetari i LDK’së.

Kujtojmë që Isa Mustafa i kishte thirrë në takime të ndara liderët opozitarë, Albin Kurtin dhe Shpend Ahmetin për t’u koordinuar rreth mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj dhe mundësinë e bashkëpunimit mes vete. Megjithatë,  nuk ishte arritur ndonjë pajtim konkret.

Opozita para disa javësh ka inicuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por duket se kjo gjë nuk do të ndodh të paktën deri në vjeshtë. Atyre iu duhen edhe disa  vota nga mazhoranca, duke përjashtuar mundësinë që një hap i tillë të ndihmohet nga Lista Serbe, përmes së cilës edhe ishte krijuar kjo qeverisje që  u kritikua që nga fillimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat