Rugova thotë se ka qejf të votohet këtë muaj shefi i ri i LDK-së e në shtator rrëzimi i Qeverisë

Aktuale

Rugova thotë se ka qejf të votohet këtë muaj shefi i ri i LDK-së e në shtator rrëzimi i Qeverisë

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 17:13
LDK

Dy njerëzit kryesorë në LDK kanë konfirmuar sot se këtë muaj mund të përfundojnë zgjedhjet në parti. Haki Rugova ka thënë se qejfi i tij është që përpos përfundimit të zgjedhjeve në korrik, Qeveria të rrëzohet në shtator. Kryetari i ri i LDK’së në Istog s’ka treguar nëse do të jetë kandidat për të zënë vendin që dikur e kishte Ibrahim Rugova në parti

Njeriu i dytë në LDK i ka dy dëshira për të cilat thotë se dëshiron të realizohen deri në fillim të vjeshtës. Të parën për ta zgjedhur kryetarin e ri të LDK’së e të dytën ta çojnë Ramush Haradinajn në Gllogjan.

“Kom qejf Kuvendi i LDK’së me ndodhë në fund të korrikut dhe kam qejf që Qeveria me u rrëzu në shtator”, ka thënë Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova të dielën.

Këto komente zëvendësi i Isa Mustafës në LDK i ka bërë raportoi se këtë muaj do të përfundojë procesi zgjedhor. Edhe Nënkryetari tjetër Agim Veliu konfirmoi sot për Express se s’ka asnjë arsye të shtyhet Kuvendi i Përgjithshëm i LDK’së për ndonjë muaj tjetër. Tha se posa të përfundojnë zgjedhjet nëpër degë do të votohet edhe për liderin e ri të LDK’së.

Haki Rugova ka treguar se s’ka informacione të sakta se kur do të përfundojë procesi zgjedhor në LDK dhe as saktë kur do të rrëzohet Qeveria.

“Unë nuk e di kur mbahet Kuvendi i LDK’së dhe nuk e di që rrëzohet Qeveria në shtator, mirëpo kom qejf me ndodhë të dyja pikërisht ashtu”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, partia e Isa Mustafës përveç zgjedhjeve të brendshme është duke tentuar të krijojë një mocion mosbesimi kundër Qeverisë bashkë me dy partitë tjera opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate.

Opozita po që se do ta çojë Haradinajn në shtëpi, por ende nuk i kanë mbledhur të gjitha votat. Deri më tani, sipas opozitës, janë mbledhur 58 vota për ta rrëzuar Qeverinë, mungojnë edhe 3 për t’u bërë 61 aq sa edhe nevojiten për rrëzim të Qeverisë.

Nënkryetari i LDK’së dhe kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, tha të dielën se ende nuk dihet kur do të mbahet Kuvendi zgjedhor i partisë, por zgjedhjet në degë do të përfundojnë gjatë muajit korrik.

“Nuk është vonuar procesi zgjedhor në LDK, disa shumë kanë pritë që do të vonohet më shumë por në kohën e duhur me dinamikën e duhur do të kryhen, zgjedhjet në degë do të kryhen në korrik gjithsesi, ndërsa për datën e Kuvendit nuk kemi vendosur ende, nuk e marrim atë vendim pa përfundu zgjedhjet në degë”, tha Rugova.

Media ka shkruar sot se Isa Mustafa para disa ditësh kishte mbledhur në Parti tre vendimmarrësit tjerë të LDK’së: Lutfi Hazirin, Haki Rugovën dhe Agim Veliun.

Ndërkaq Rugova nuk ka treguar se a do të kandidojë për të marrë postin e të parit të partisë. Ai ka thënë se secili delegat i Kuvendit ka mundësi të jetë kandidat për kryetar të LDK’së.

“Është çështje personale a do të kandidoj, vendimet i marrim si kryesi, atëherë flasim për kandidaturat në kohën e duhur”, u shpreh Rugova.

Se zgjedhjet brenda partisë do të përfundojnë gjatë këtij muaji e ka konfirmuar edhe kryetari i LDK’së në Podujevë, Agim Veliu. Ai të dielën ka thënë se s’ka asnjë arsye të shtyhen më shumë posa të përfundojë procesi zgjedhjet në degët e mbetura të LDK’së.

“Jemi kah fundi i zgjedhjeve. Orientimisht mund t’i përfundojmë zgjedhjet këtë muaj”, ka thënë Veliu.

Sidoqoftë, në garë për Shef të LDK’së, në terren janë duke punuar Agim Veliu e Lutfi Haziri. Është duke u përmendur edhe Avdullah Hoti por se ky i fundit prej humbjes se zgjedhjeve ka mbetur i heshtur brenda LDK’së.

Ndërkohë, Vjosa Osmani ende po vazhdon të jetë opsion për Kryetare të LDK’së por përkrahësit e saj s’kanë arritur të fitojnë nëpër degët e Partisë.

Në garë vazhdon të jetë edhe ish-Kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu, i cili është mirëpritur të shtunën në Prizren.

Isa Mustafa ishte votuar për Kryetar të LDK’së para katër vitesh kur kishte vendosur që me aklamacion të votohej për Shef partiak. Atëkohë, e kishte eliminuar nga gara Vjosa Osmanin, e cila s’kishte arritur të plotësonte kriterin për t’i hyrë garës, ku kërkoheshin nënshkrimet e  50 plus një të delegatëve të LDK’së.

Sivjet zgjedhjet në LDK kanë nisur më 8 mars. Janë paraparë të përfundojnë në fund të verës, megjithëse, ka pasur paralajmërime se mund të shtyhen edhe deri në vjeshtë, kur edhe pritet të ketë mocion për rrëzimin e Qeverisë.

Zyrtarë të LDK’së kanë thënë se Isa Mustafa po synon të bëhet President i Republikës në një marrëveshje edhe me ndonjërin prej zyrtarëve të partisë së tij që po synon të bëhet Shef i Partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat