Matoshi: S’kam fuqi të ndaloj ndërtimin e hidrocentraleve në Shtërpcë

Aktuale

Matoshi: S’kam fuqi të ndaloj ndërtimin e hidrocentraleve në Shtërpcë

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 10:51
Pamje nga raportimi i Fatmir Matoshit

(E plotësuar) - Për banorët shqiptarë dhe serbë të komunës së Shtërpcës, vazhdon të jetë problem, ndërtimi i hidrocentraleve në atë zonë. Derisa një gjë të tillë ata e kanë kundërshtuar edhe me organizimin e protestave, sot pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur edhe në Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, ku raportoi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi. Ky i fundit tha se nuk e ka fuqinë për ndërprerjen e këtyre punimeve, derisa kompetencat i ka hedhur te deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Sipas ministrit Matoshi, për ndërtimin e hidrocentraleve në komunën e Shtërpcës ekziston gjithë dokumentacioni i nevojshëm.

Ndërkohë, shtoi se për ndërtimin e hidrocentraleve në atë zonë janë mbajtur debatet publike në vitin 2013-2014, ku qytetarët kanë mundur t’i shprehin pakënaqësitë.

Matoshi: Nuk mund të marrë vendim për ndërprerje të punës

“Në komunën e Shtërpcës operon kompania “Matkos”,  e cila ka dokumente valide për katër hidrocentrale. I pari është hidrocentrali i Sharrit, i cili ka filluar punimet, është në vazhdën e përfundimit të punimeve të veta, ka pëlqim mjedisor, ka pëlqim ujor  po ashtu. Është po ashtu edhe hidrocentrali Brezovica që është në përfundim e sipër dhe i njëjti ka aplikuar tashmë për leje mjedisore, këtij i janë kërkuar informata shtesë, të cilat ende nuk i ka sjellur asnjëherë në ministri. Është hidrocentrali “Shtërpca” që po ashtu posedon dokumente. Secili prej këtyre hidrocentraleve, lejeve ndërtimore i nënshtrohet në komunë e Shtërpcës, ndërsa tek ne kanë pëlqimin mjedisor, pëlqimet ujore... Jemi në një fazë ku unë nuk mundem në mënyrë arbitrare me marrë ndonjë vendim ose me ndërpre punë, sepse investitorët të cilat janë atje duke punuar, sigurisht që do të kërkojnë dëmshpërblim”, tha Matos hi.

Mirëpo, sipas përfaqësuesit të banorët të fshatit Biti e Poshtme, Agron Rushiti nuk ka pasur debate të tilla. Ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me pakësimin e ujit në lumin Lepenc, duke treguar disa fotografi të lumit para ndërtimit të hidrocentralit dhe pas ndërtimit të tij.

Rushiti: Kanë filluar të ngordhin peshqit

 “Kanë filluar të ngordhin peshqit sepse nuk kanë mundësi me mbijetu. Me çfarë ligji unë nuk e di, me kë merren. Krejt ujin e pijshëm që e kemi, e kemi të Lepencit. Në këtë formë ne nuk mundemi me pas ujë të pijshëm...Toka jonë është e varur prej Ibër Lepencit, atë burim të jetës që e kemi ne, gjysh e babagjysh që e kemi pasur, e kemi prej Lepencit. Edhe toka jonë është e varur, po qanë lumi për atë ujë. Edhe me ardh në këtë gjendje... nuk i kanë plotësuar absolutisht”, tha  Rushiti.

Matoshi gjatë raportimit në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, tha se nuk e ka fuqinë që të ndërmarrë diçka në këtë aspekt, pasi sipas tij, kompanitë ndërtuese kanë dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e tyre.

Sipas tij, vetëm Kuvendi i Kosovës e ka fuqinë për ta ndryshuar gjendjen aktuale.

Matoshi: Vetëm Kuvendi i Kosovës mundet me i ndërpre punimet, unë nuk e kam fuqinë (Video) “Në situatën të cilën jemi, vetëm Parlamenti i Kosovës mundet me ndërpre, unë nuk e kam fuqinë edhe forcën si ministër me ndërpre këtë, sepse njerëzit posedojnë dokumentacione. Ju mund të thoni që nuk janë të rregullta, unë mund të them që janë të hapura, publike”, u shpreh Matoshi.

E anëtari i komisionit, Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se banorët në këtë anë kanë qenë të kërcënuar edhe të dalin të protestojnë për të ndaluar punimet.

Aliu: Banorët në Biti janë të kërcënuar (Video) “ Në biseda me fshatarët kam vërejtur hezitim të tyre që të vijnë, të shkojmë bashkë tek vendi atje. Ka qenë vetëm njëri i përfaqësuesit të komunitetit serb, dhe disa të komunitetit shqiptarë, me të cilët kemi shkuar bashkë atje. Kanë qenë të shqetësuar të duken diku publikisht që po shkojmë tek ato vende. Për shkak se janë ndjerë të kërcënuar, nëse reagojnë sa i përket çështjes së hidrocentraleve. Është bërë presion mbi ata fshatarë dhe kjo është pjesa më e keqe e këtij problemi. Kur këta kanë protestuar, Policia e Kosovës i ka arrestuar”, tha Aliu.

Kryetari i Komisionit, deputeti Muharrem Nitaj, ka thënë se për këtë çështje do të duhej të formohej një komision hetimor që do të shihte se si qëndron puna e këtyre hidrocentraleve, lejeve të marra, ujit që shfrytëzohet, në mënyrë që shqetësimet e ngritura të adresohen.

Nitaj: Kuvendi i Kosovës duhet të formoj një komision hetimor (Video) “Unë do të isha shumë i interesuar që Parlamenti i Kosovës ose disa komisione që merren me këtë materie, të krijohet një Komision Hetimor që do t’i futej kësaj problematike në thelb. Ju po thoni që e keni trashëguar një papirologji të cilën nuk po mund ta ndërroni, e keni trashëguar një gjendje me leje, që ata njerëz i kanë marrë dhe ju nuk keni pushtet, këtë mund ta bëjë Parlamenti. Dhe e vetmja zgjidhje mendoj është që Parlamenti të krijon një komision hetimor dhe t’i futet kësaj problematike. Mua më duket shumë e dyshimtë, atje duket që diçka mban erë”, ka deklaruar Nitaj.

Derisa, përfaqësuesit e banorëve kanë kërkuar që të ndalet puna në të gjitha hidrocentralet në rajonin e Shtërpcës, Matoshi ka përsëritur që nuk ka kompetencë ligjore që të ndalojë punimet.

Rushiti: Për shkak të hidrocentralit, në Lepenc po ngordhin peshqit

Debat i nxehtë është zhvilluar sot në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me hidrocentralet dhe gurthyesit.

Gjatë raportimit të tij para këtij komisioni, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se në komunën e Shtërpcës operojnë katër hidrocentrale.

“Në komunën e Shtërpcës operon kompania ‘Matkos’ që ka dokumente valide për 4 hidrocentrale. Hidrocentrali i Sharrit që ka filluar punimet, hidrocentrali Brezovica që është në përfundim e sipër dhe i njëjti ka aplikuar për leje mjedisore, është hidrocentrali Shtërpca që posedon dokumente. Secili prej këtyre hidrocentraleve iu nënshtrohet lejeve në komunë të Shtërpcës. Jemi në një fazë ku unë nuk mundem të ndërpresë punën, pasi punëkryesit kërkojnë të paguajmë dëmshpërblim nëse i ndalim dhe këtë duhet ta paguajë dikush”, tha ai.

Përfaqësuesi i fshatit Bitinje, Agron Rushiti, tha se toka e tyre varet prej lumit Lepenc, për çka tha se si shkak i hidrocentralit, në këtë gjendje nuk ka më ujë të pijshëm. Ai madje tha se nuk ka pasur as debat publike për këtë çështje.

"Qe sa uji është tash që nuk ka hyrë në gypa, e kanë marrë ujin, e kanë fut në gypa. Kanë nisur të ngordhin peshqit. Me çfarë ligji, nuk e di unë... Në këtë formë ne nuk mundemi të kemi ujë të pijshëm. Toka jonë është e varur prej Lepencit dhe të vijmë në këtë gjendje, kjo nuk është në rregull. Nuk ka ujë këtu ministër, ka pasur aty prej kahmos, Këtë që jeni duke e bërë, nuk e ka bërë askush. 100 hektarë i kemi mjedra, ne pa ujë nuk kemi jetë”, tha ai.

Ndërsa, ministri Matoshi tha se në këtë gjendje, vetëm parlamenti mund të marrë një vendim.

"Më vjen keq çfarë ka ndodhur me çështjen e pronës. Ju po thoni që nuk ka pasur debate publike. Në rast se nuk ka pasur debate publike, ky është një mashtrim. Nëse ka dokumente që ka pasur debate publike, atëherë është tjetër çka. Në situatën në të cilën jemi, vetëm parlamenti mund ta ndërpresë këtë çështje. Unë nuk e kam fuqinë si ministër, sepse ka dokumentacione", tha Matoshi.

Anëtari i komisionit, Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se banorët në këtë anë kanë qenë të kërcënuar.

"Në takimin që kam pasur në fshat, në biseda me fshatar kam vërejtur hezitim që të shkojmë te vendi atje, sepse janë ndjerë të kërcënuar. Kur këta kanë protestuar, janë arrestuar. Policia ka mbrojtur hidrocentralin, i cili po varros lumin. Dërgoni inspektorët e juaj sa më shpejt dhe zbatoni ligjin. Këta banorë kanë të drejtë të veprojnë", tha Aliu.

Kryetari i komisionit, Muharrem Nitaj tha se duhet të krijohet një komision hetimor në lidhje me këtë, që të trajtohet si problematikë.

"Mua më duket shumë e dyshimtë, mirëpo atje duket që diçka ‘mban erë’. Ka atje persona me premisa të banditizmit", tha Nitaj.

Anëtari i komisionit nga radhët e PSD-së, Salih Salihu, tha se si shkak i kësaj gjendjeje, vërehet që ministritë nuk kanë bashkëpunim mes vete.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka pyetur se kompetencë e kujt është që të vendosë për ndërprerjen e punimeve, ndërsa ministri Matoshi theksoi se kjo është kompetencë e deputetëve.

“Merrni vendim si për lojërat e fatit, edhe ne e zbatojmë”, porositi ministri Matoshi. 

Ministri Matoshi raporton për hidrocentralet dhe gurthyesit (Drejtpërdrejt)

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi po raporton para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me hidrocentralet dhe gurthyesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat