Rugova komenton negociatat mes Kurtit dhe Mustafës

Aktuale

Rugova komenton negociatat mes Kurtit dhe Mustafës

Më: 8 korrik 2019 Në ora: 12:40
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, lë të kuptohet se Kryesia e kësaj partie nuk është në dijeni lidhur me negociatat që po zhvillohen mes kreut aktual të LDK’së, Isa Mustafa dhe kreut të VV’së Albin Kurti. Sipas raportimeve, negociatat synojnë ta sjellin një rezultat të tillë: postin e Kryeministrit ta ketë Albin Kurti ndërkaq Isa Mustafa ta marrë postin e Presidentit. Rugova ka thënë se ‘LDK është e fokusuar aktualisht në procesin e brendshëm zgjedhor dhe në rrëzimin e Qeverisë aktuale’.

“Këto janë krejt spekulime, janë llafe. Mirëpo vendime aktuale nuk ka brenda kryesisë. Ne jemi në proces zgjedhor dhe në përfundim të procesit nëpër degë. Do ta organizojmë Kuvendin e LDK’së dhe atëherë shohim sesi do të përfundojë kjo situatë e pastaj merremi me atë çështje. Por fokusi jonë tash është zgjedhjet e brendshme dhe angazhimi rreth rrëzimit të Qeverisë aktuale”, ka thënë Rugova.

Burimet nga negociatat Kurti – Mustafa, thonë se këto janë propozimet e deritashme mes dyshes:

“Mustafa ka propozuar që fillimisht posti i Kryeministrit t’i takojë LDK-së, ndërsa kur të përfundojë mandati i Presidentit, të ndodhë rokada: Mustafa të bëhet President, ndërsa Kurti Kryeministër. Por, kërkesa e Kurtit është që posti i Kryeministrit t’i takojë menjëherë VV-së, ndërsa kur t’i kalojë mandati Presidentit, t’i jepen votat Isa Mustafës për President”.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova, thotë se nuk mund të spekulojë se çka mund të ndodhë pas dy vitesh.

“Aktulisht shteti e ka presidentin dhe ju e dini fort mirë se si zgjidhet presidenti. Nuk e di unë çka mund të ndodh pas dy viteve. Nuk ështe pyetje që shtrohet sespe dhe unë mund të bie në rrafshin spekulues dhe nuk dëshiroj… Po flas me saktësi dhe jo me spekulime”, ka thënë Rugova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat