Propozohet që kryeministri ta detyrojë ministrin Tahiri të raportojë në komision

Aktuale

Propozohet që kryeministri ta detyrojë ministrin Tahiri të raportojë në komision

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 14:32
Propozohet që kryeministri ta detyrojë ministrin Tahiri të raportojë në komision

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, edhe njëherë nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Komisionit për Legjislacion ku ishte i ftuar për raportim lidhur me procesin e rekrutimit të noterëve të rinj.

Në piken 2 të rendit të ditës ishte paraparë: Diskutim në lidhje me procesin e rekrutimit të noterëve të rinj, administratën e sistemit të Drejtësisë dhe kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës që lidhen me Ligjin e Pagave, ku i ftuar ishte Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Përmes një shkrese ministri Tahiri i ka njoftuar deputetët që nuk do të marrë pjesë.

Deputeti Hajdar Beqaj propozoi që të hiqet pika e dytë nga rendi i ditës.

"Të hiqet pika 2 sepse nuk është ministri prezent dhe nuk kemi çka të diskutojmë", tha ai.

Ndërsa kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, insistoi qe të diskutojnë për ketë, ku ajo tha se është e paprecedentë mungesa për herë të dytë e ministrit.

Ajo tha se shkresa e ministrit është e paarsyeshme, meqë siç tha ajo nuk e ka ftuar ministrin si subjekt politik por si kryesuese e komisionit në emër të gjithë komisionit që ishin të pajtimit ta ftonin.

"Është hera e dytë që ai refuzon të raportojë para komisionit. Ai e ka për obligim me kushtetutë që të raportojë para komisionit", tha Haxhiu, ndërkohë shtoi që pika 2 duhet të mbetët në rend dite.

Komisioni nuk pati votat e mjaftuese për ta hequr nga rendi i ditës pikën 2.

Deputeti Sami Kurteshi tha se ministrat e kanë obligim raportimin.

"Ministri ka thënë që refuzon të raportojë para komisionit. Bëhet përpjekje që kjo të nxirret sikur një punë e LVV, kryetarja e komisionit është e Lëvizjes, por nuk është kjo mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrit", tha Kurteshi.

Edhe deputeti Korab Sejdiu, ka kritikuar mosprezencën e ministrit Tahiri në komision. Derisa e ka konsideruar papërgjegjshmëri, Sejdiu propozoi që t’i kërkojnë kryeministrit që ta detyrojë ministrin të shkojë në komision.

 "Ministri do duhej të vinte të diskutonte edhe nëse ka çështje që nuk mund t'i diskutojë do të kishte qenë me e udhës ashtu. Ai Ka zgjedhur rrugën më të papërgjegjshme. Është papërgjegjësi e ministrit, ai ka pas bashkëpunim jashtëzakonisht me këtë komision. Të kërkohet prej kryeministrit që të detyrojë ministrin të vijë këtu dhe të diskutojë këtë çështje. Jam shumë i zhgënjyer me këtë", tha ai.

Deputetët u dakorduan që para datës 15 korrik, ta ftojnë sërish ministrin Ableard Tahiri që të raportojë në komision.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat