Abuzimi me pozitat publike, kërkohesh shkarkimi i menaxhmentit të dy ndërmarrjeve publike

Aktuale

Abuzimi me pozitat publike, kërkohesh shkarkimi i menaxhmentit të dy ndërmarrjeve publike

Më: 9 korrik 2019 Në ora: 16:10
Driton Selmanaj

Kryetarit i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, njëherësh deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shkarkojë gjithë stafin menaxhmerial të dy kompanive nga Prizreni, asaj të ujitjes “Drini i Bardhë” dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”, për shkak të abuzimit me paranë publike.

Në një konferencë për media, ai tha se këto raste po dëshmojnë se të gjitha pasqyrat financiare të këtyre ndërmarrjeve publike janë nën nivelin e pritur për shkak të parregullsive të mëdha dhe ftoi organet e drejtësisë të hetojnë abuzimet me pozitat publike.

Selmanaj: Gjithë stafi menaxherial i këtyre dy ndërmarrjeve publike të shkarkohen

“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që gjithë stafin menaxherial të këtyre dy ndërmarrjeve publike t’i shkarkojë dhe të marrë në menaxhim të drejtpërdrejtë të saj nga vetë Qeveria e Kosovës. Pse e themi këtë, e themi për shkak të nivelit të madh të abuzimeve që po ndodhin në këto ndërmarrje publike. Normalisht, përveç kësaj, kërkojmë nga institucionet dhe iu bëjmë thirrje institucioneve ndjekëse që këto raporte të Zyrës Kombëtare të Auditimit të trajtohen me seriozitet të madh dhe organet ndjekëse t’i ndjekin ata, të cilët po abuzojnë me parat publike në Kosovë”, tha ai.

Selmanaj tha se në bazë të raportit të Zyrës së Auditorit, këto dy ndërmarrje të gjitha pasqyrat financiare i kanë jashtë përputhjeve të kontabilitetit.

Selmanaj: Këto ndërmarrje të gjitha pasqyrat financiare i kanë jashtë përputhjeve të kontabilitetit

“Të dyja këto raste na dëshmojnë se pothuajse të gjitha pasqyrat e tyre financiare i kanë jo në përputhje me standardet e kontabilitetit që i bie se Qeveria si aksionari kryesor i këtyre ndërmarrje nuk e ka idenë se çfarë po ndodh me asetet që i ka vetë ajo”, deklaroi Selmanaj.

Deputeti Selmanaj, mes tjerash, paralajmëroi se në takimin e radhës të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike do të ftohen edhe ndërmarrje të tjera publike për të raportuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat