Ministrja e Integrimeve dhe deputetet e pozitës akuzojnë Pacollin se po lobon kundër Kosovës

Aktuale

Ministrja e Integrimeve dhe deputetet e pozitës akuzojnë Pacollin se po lobon kundër Kosovës

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 14:36
Dhurata Hoxha

(E plotësuar) - Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, ka raportuar sot në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.

Para deputetëve, ajo tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, por që nuk e di se kur do të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave. Hoxha shtoi se Franca, Belgjika dhe Holanda kanë hezitime sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Hoxha: Vendet hezituese që nuk kanë një qëndrim është Franca, Holanda, Belgjika

“Sa i përket shteteve veç e veç, e kam theksuar dhe po e përsëris edhe këtu nga vendet hezituese që nuk kanë një qëndrim është Franca, Holanda, Belgjika. Ndërsa, vendet tjera, vendet baltike janë përkrahëse, vendet e rajonit Kroacia, Sllovenia dhe vendet tjera anëtare të Evropës juglindore janë përkrahëse të liberalizimit të vizave, Austria është gjithashtu përkrahëse...Brengë e Francës mbetet migrimi, jo migrimi ndaj Kosovës ose prej qytetarëve të Kosovës, mirëpo migrimi apo keqpërdorimi i liberalizimit të vizave nga disa prej shteteve që veç e kanë përfituar këtë proces. Përkundër faktit se Kosova qëndron sa i përket çështjes së migrimit pra ne nuk jemi as në top 30 e vendeve prej nga vjen migrimi ilegal”, tha ajo.

Ministrja Hoxha deklaroi se futja e liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave nuk do të ndodh nëse nuk ka një konsensus të ndërtuar paraprakisht. E këtë iniciativë ajo tha se presim ta merr një nga shtetet, duke mos përjashtuar as Finlandën që veç e ka kryesimin e Presidencës.

Hoxha: Gjermania nuk e fut në votim pa pasur një konsensus me Francën 

“Unë nuk e mendoj që Gjermania do ta fus çështjen e liberalizimit të vizave për votim nëse nuk arrihet një konsensus me Francën, duke i ditur marrëdhëniet e tyre si aleat. Pra, nuk është se do ta ndërmarrin një hap të tillë për ta futur Francën në një pozitë të tillë ku haptazi pastaj do t’i binte që ose të votonte kundër apo të abstenonte, kjo edhe në mënyrë jo zyrtare na është thënë. Pra, çka është duke ndodhur është që Gjermania, Franca me këto veprimet e fundit që i kanë bërë janë duke punuar në ndërtimin e pozicionit dhe fuqizimin e pozicionit të tyre sa i përket procesit të liberalizimit. Pra, votimi do të ndodh atëherë kur këto vende anëtare, gjegjësisht Franca dhe Gjermania do të kenë pozicion të qartë, përkrahje të qartë për procesin e liberalizimit të vizave”, tha ajo.

Sa i përket mirëmbajtjes së kritereve për liberalizim të vizave, Hoxha tha se deri tani puna është duke shkuar mirë edhe sa i përket rasteve të shënjestruara.

Deputetja e Vetëvendosjes Fitore Pacolli, pati kritika sa i përket listës së rasteve të shënjestruara, ndërsa ministrja Hoxha i tha asaj se lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të vazhdojë.

Ajo tha se nuk duhet të ketë në institucione zyrtarë të cilët janë me aktakuza.

Hoxha: Nuk duhet të kemi zyrtarë të cilët janë me aktakuza

“Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë krimin, duhet të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin. Duhet të kërkojmë standarde më të larta që t’i përgjigjem edhe pyetjes suaj tjetër që nuk duhet të kemi zyrtarë të cilët janë me aktakuza, pra duhet të caktojmë ose të vendosim një standard të ri të zyrtarëve dhe kjo duhet të bëhet çdokund, në cilindo nivel. Sa i përket rasteve është e vërtetë ne nuk i kemi  listuar ato raste, siç e dini prokuroria gjegjësisht gjyqësori janë të pavarur dhe unë nuk mund të shkojë dhe t’iu them se duhet ta vendosni këtë rast apo atë rast. Është pra një sistem, një mekanizëm i cili vepron dhe në bashkëpunim deri tash ka qenë EULEX-i, së bashku vendosin se cilat raste do të vendosen”, tha ajo.

Deputetja e AAK-së Time Kadriaj e ka pyetur ministren Hoxha në ndonjë takim që ka pasur jashtë vendit, nësë i është thënë se një subjekt politik po lobon kundër liberalizimit të vizave.

Kadriaj: Një subjekt politik sa herë që po bënë vizita zyrtare jashtë vendit po lobon kundër liberalizimit të vizave

“Desha ta pyes ministren në vizitat zyrtare që po i bëni jashtë, a po ju tregojnë që një subjekt politik sa herë që po bënë vizita zyrtare jashtë vendit po lobon kundër liberalizimit të vizave dhe a po ju tregojnë që ka subjekt politik që sa herë që shkon thotë mos bëni liberalizim të vizave se në momentin që ka liberalizim të vizave shprazet Kosova dhe nuk do të mbet asnjë njëri në Kosovë”, pyeti ajo.

Një çështje të tillë e ka thënë edhe deputetja Evgjeni Thaçi - Dragusha, e cila ka akuzuar deputeten e VV-së Fitore Pacolli se në një takim kishte folur se si Kosova nuk i ka përmbushur kriteret për viza.

Deputetja Pacolli i ka kërkuar deputetes Thaçi që të tregojë raste konkrete, për çka kjo e fundit e ka dhënë.

Thaçi: Fitore Pacolli është shumë entuziaste në çdo rast kur kemi rekomandime negative për Kosovën

“Pajtohem me Timen se disa anëtarë të këtij komisioni çuditërisht janë shumë entuziastë, si Fitore Pacolli, është shumë entuziaste në çdo rast kur kemi rekomandime negative për Kosovën. Rast konkret kemi takimin e përbashkët Komisioni për Punë të Jashtme dhe Komisioni për Integrime Evropiane me deputetët e Bundestagut gjerman ndoshta para një muaji. Ishim tmerruar me atë çka ka thënë Fitore Pacolli, ekziston transkripti çka ka thënë ajo. Ka fol për atë se si Kosova nuk i ka përmbushur kriteret, sa nuk po e lufton krimin dhe korrupsionin, ka folur për atë se sa Kosova nuk po bënë për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, e sidomos në pjesën e veriut. Kjo ka qenë diçka absurde të dëgjohet nga deputetët e Kosovës”, tha deputetja Thaçi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, tha se edhe asaj i është thënë se një subjekt politik po lobon kundër liberalizimit të vizave, madje ajo thotë edhe kundër shtetit të Kosovës

Hoxha: Edhe mua më është thënë se një shtet po lobon kundër shtetit të Kosovës

“Është e vërtetë se edhe mua më janë ngritur shqetësime të tilla që ka pasur subjekt politik i cili ka lobuar kundër liberalizimit të vizave, gjegjësisht kundër shtetit të Kosovës. Një rast i tillë është vizita që e kemi pasur në Prishtinë, mos t’i përjashtojë edhe vizitat jashtë vendit”, tha  Hoxha.

Por deputetja Fitore Pacolli ka kërkuar nga ministrja Hoxha që të jap dorëheqje për siq ka thënë ajo dështimit në reformat sa i përket integrimeve evropiane.

Pacolli: Jep dorëheqje se ke dështuar, nuk mund të vazhdosh tutje

“Bëhen më shumë se një vit e tre muaj, në mars të vitit 2018 kemi qenë në një sallë si kjo, më ke bërë një pyetje, ta kam bërë një pyetje, të kam thënë ministre çka i thua qytetarëve që i ke bindur se liberalizimi i vizave bëhet pas kalimit të demarkacionit. Sot ministre po të bëjë thirrje është edhe ftesë tamon se kështu mendoj se edhe duhet me veprua, se ke dështuar në liberalizim të vizave, duhet me dhënë dorëheqje, ke dështuar në ERA duhet të japësh dorëheqje, ke dështuar në reforma komplet sa i përket integrimeve evropiane. Nëse donë të mbesësh me faqe të bardhë jep dorëheqje se ke dështuar, nuk mund të vazhdosh tutje”, tha ajo.

Por, kësaj kërkese i ka reaguar ministrja Hoxha, e cila tha se do të jepte dorëheqje nëse Komisioni Evropian do të thoshte se nuk janë përmbushur kriteret.

Hoxha: Nëse Komisioni Evropian do të kishte dal me një raport që kriteret nuk janë zbatuar

“Dorëheqja sa i përket liberalizimit të vizave do të ishte e udhës nëse Komisioni Evropian do të kishte dal me një raport që kriteret nuk janë zbatuar. Kriteret janë zbatuar, po kam dhënë afat dhe prapë kurdo herë që kam afat që më informojnë zyrtarët e lartë të BE-së, kurdo herë, i ke dëgjuar edhe vet publikisht. Po datë kanë dhënë, po e shohim ne qëndrimin tënd të shprehur publikisht, mirëpo ky është qëndrimi, kriteret janë plotësuar dhe tani është në shqyrtim në Këshillin e vendeve anëtare”, tha ajo.

Gjatë raportimit të ministres Dhurata Hoxha, ajo është pyetur disa herë nga deputetja e Vetëvendosjes lidhur me një kontratë që Ministria që ajo e drejton ka lidhur me një kompani lobimi, e cila sipas saj do t’i kushtojë Kosovës 152 mijë euro për shërbime që i duhen Ministrisë dhe këto shërbime kjo kompani mund t’i kryejë qoftë në ShBA, qoftë në BE.

Rreth kësaj, ministrja Hoxha tha se kanë lidhur një kontratë me një kompani këshilluese e cila do ta këshillojë Ministrinë e Integrimit Evropian me avancimin e agjendës së integrimit evropian për Kosovën, po ashtu edhe me planifikimin strategjik që MIE do ta bëjë edhe në përgatitjen e vendit për aplikimin e statusit të kandidatit. Ndërsa, tha se kjo kompani do t’i ndihmojë Ministrisë edhe në koordinimin e donacioneve, sipas saj IPA 3 do të jetë një mekanizëm që do të bazohet në konkurrencë. Sipas saj, Kosova nuk është e gatshme për mekanizmin e ri që IPA 3 do ta aplikojë dhe ajo tha se ka marrë këshilla nga Bashkimi Evropian që të fillojnë të rishikojnë mekanizmat dhe të kenë një planifikim sa i përket absorbimit sa më të madh të fondeve.

Ministrja është pyetur edhe rreth asaj se në takimet zyrtare që ka pasur, a i është përmendur kërcënimi që i është bërë prokurorit Elez Blakaj nga kryeministri Ramush Haradinaj. Hoxha tha se në asnjë rast nuk i është përmendur ky rast në asnjë takim zyrtar jashtë vendit që ka pasur.

Hoxha tregon vendet të cilat hezitojnë rreth liberalizimit të vizave për Kosovën

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha raportoi sot në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.

Para deputetëve, ajo tha se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, por që nuk e di se kur do të hidhet në votim në Këshillin e Ministrave.

Hoxha shtoi se Franca, Belgjika dhe Holanda kanë hezitime sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

"Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave vendimi është në Këshillin e Ministrave. Kriteret e kërkuara sipas udhërrëfyesit janë plotësuar, kjo u konfirmua. Parlamenti Evropian edhe një herë në 2019 e ka votuar raportin. Përkundër rekomandimeve pozitive, përmusgjes së kritereve jemi duke pritur vendimin e Këshillit. Në zvarritje ka ndikuar edhe gjendja politike brenda Parlamentit Evropian. Në takimin që kemi pasur në Gjermani me ministrin e Brendshëm kemi marrë mbështetje për vizat. Franca, Holanda, Belgjika kanë dilema për liberalizimin e vizave në Kosovë", tha ajo.

Hoxha ka thënë se brengë e Francës është migrimi në përgjithësi.

"Futja në agjendë në Këshillin e Ministrave nuk do të futet nëse nuk do të ketë konsensus. Njëra nga shtetet anëtare duhet ta marr iniciativën që ta vendos në agjendë. Takimi i ardhshëm i këshillit është pas konstituimit nga zgjedhjet, dhe në këtë aspekt pritet në tetor mbledhja. Deri atëherë duhet të ndodh ky diskutim në mënyrë që të ndodh konsensusi. Brengë e Francës mbetet migrimi, jo e qytetarëve të Kosovës, po keqpërdorimi i liberalizimit nga disa shtete që e kanë liberalizimin. Kosova sa i përket migrimit nuk gjendemi as në ‘Top 30’ e vendeve", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat