Konfirmohet rrahja e LDK-së në Vushtrri, flet monitoruesi që ishte prezent

Aktuale

Konfirmohet rrahja e LDK-së në Vushtrri, flet monitoruesi që ishte prezent

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 20:34
Rrahjet e LDK-së në Vushtrri

Procesi i brendshëm zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe në nëndegën “Dardania” që u mbajt të dielën e kaluar në Komunën e Vushtrrisë përfundoi me karrige e grushte, madje në këtë përleshje u përfshinë edhe femrat të cilat ishin të pranishme.

Se videoja e publikuar nga mediumi ynë është e vërtetë e konfirmon edhe Agron Përquku, anëtar i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, i cili gjithashtu shihet në një pjesë të saj.

Ai mohon të jetë i përfshirë në incident, teksa thotë që në këtë proces ka qenë vetëm monitorues.

“Kam qenë monitorues i kuvendit, vërehet pozicioni i jem që unë kam qenë duke u marrë me procesverbal dhe tek vonë e kam vërejt që janë duke u rreh gjinja dhe kur e kam kuptu që janë tu u rreh jam qu në këmbë dhe jam tërhek mbrapa e jam dalë jashtë.

Nuk e di arsyen se për çfarë janë rreh. Ndoshta dikush nga mllefi apo ndaj asaj mundohet të më dëmtojë e ka përmend emrin tim që kam qenë pjesë e përleshjes. Unë jam duke e mbajtë proces verbalin, kur e kam vërejt se janë duke u rrah, vërehet shumë mirë në video, ai me maicë të bardhë.

Gjithçka çka ka qenë duke u zhvillu procesi për momentin është ndërpre takimi, edhe ata e dinë se qysh kanë fillu”, ka thënë Përquku për mediat vendore.

Ndryshe në këtë rrahje u përfshinë dy grupe, grupi i kryetarit të degës së LDK-së, Hysni Gërgurit dhe atij të kryetarit aktual të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ndërsa ky i fundit përmes një reagimi mohoi të jetë i përfshirë në çfarëdo forme në këtë incident. Ku çdo gjë e quajti si tendencioze nga kundërshtarët që e duan dobësimin e LDK-së në këtë komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat