Mbrojtja kërkon përjashtimin e Trupit Gjykues dhe prokurorit në rastin “Syri i Popullit”

Aktuale

Mbrojtja kërkon përjashtimin e Trupit Gjykues dhe prokurorit në rastin “Syri i Popullit”

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 14:40
Foto ilustrim

Avokatët mbrojtës kanë kërkuar sot përjashtimin e trupit gjykues si dhe prokurorit të shtetit nga gjykimi në rastin “Syri i Popullit”, kërkesë kjo e cila ka ardhur pas seancës së sotme në të cilën ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në cilësinë e të dëmtuarit.

Naim Rudari avokati mbrojtës i Avni Llumicës, ka thënë se nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht se në seancë do të jetë presidenti Thaçi.

Rudari: Kërkojmë përjashtimin e trupit gjykues dhe në këtë rast edhe të prokurorit të shtetit

“Ka ardhur në cilësinë e të dëmtuarit presidenti i vendit që të dëshmojë dhe neve na është bërë e ditur vetëm kur jemi futur në seancë, faktikisht jo të dëshmojë po të parashtrojë pyetje njërit nga të akuzuarit. Me këtë rast seanca është mbyllur menjëherë për publikun që në këtë rast nuk mund të shpalosim detaje të seancës brenda për brenda. Gjatë kësaj janë dhënë disa vërejtje ndaj nesh si avokatë, që konsideroj kanë qenë të paqena, kinse që nuk jemi duke kryer detyrën ashtu siç jemi të obliguar me ligje dhe me kodin e etikës. Më pas kemi konsideruar se trupi gjykues ka pasur shkelje procedurale në lejimin e parashtrimit të pyetjeve dhe në këtë rast jemi obliguar që njëzëri ne si avokatë mbrojtës të kërkojmë përjashtimin e Trupit Gjykues dhe në këtë rast edhe të prokurorit të shtetit që përfaqëson aktakuzën”, tha Rudari.

Ai tha se ka arsye të mjaftueshme që kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë ta marrë në konsideratë kërkesën e tyre.

Rudari: Kemi arsye të mjaftueshme procedurale ligjore, por është kryetarja ajo që vendos

“Ne do t'i parashtrojmë kërkesë me shkrim kryetares së Gjykatës dhe është kryetarja  ajo që vendos që ta aprovojë propozimin tonë apo jo. Ne konsiderojmë se kemi arsye të mjaftueshme procedurale ligjore,  por është kryetarja ajo që vendos”, tha ai.

Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësinë e të dëmtuarit ka qenë i ftuar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, seancë kjo që është mbyllur për publikun me kërkesë të prokurorit.

Sot ishte paraparë vazhdimi i dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Sadri Ramabaja, ku ai kishte nisur mbrojtjen e tij më 3 korrik të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për rrezikim të rendit kushtetues.

Këta të akuzuar akuzohen se kanë planifikuar atentate ndaj figurave të rëndësishme politike, përfshirë presidentitn Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli e shumë figura tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat