Haradinaj: Marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë Qeveri

Aktuale

Haradinaj: Marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë Qeveri

Më: 11 korrik 2019 Në ora: 16:04
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pranuar se ka diskutuar në biseda telefonike me dy komikët rusë që i kanë telefonuar liderëve të rajonit, duke paraqitur në emër të ish presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, por theksoi se diskutimi i tyre nuk ka pas diçka të veçantë dhe vetëm ka kërkuar njohjen.

Për ish presidentin ukrainas, i pari i qeverisë tha se ka komunikuar në linja të sigurta, së paku dy herë.

Pas mbledhjes së kabinetit Qeveritar, Haradinaj foli dhe për mundësitë e rrëzimit të Qeverisë për shkak të pakënaqësive të partnerëve të koalicionit, ku tha se marrëdhëniet mes tyre janë stabile dhe nuk e rrezikojnë qeverisjen e tij.

Haradinaj: Me presidentin Poroshenko kam fol, por edhe me komikët pastaj

“Me presidentin Poroshenko kam fol, por edhe me komikët pastaj. Bisedën e parë, në fakt një ose dy biseda kam pas me të vet. Prej një linje të sigurt, çfarë quhet ajo. Ndërsa ka ndodhur një bisedë prej një linje të hakuar. Mos harroni teknologjia sot e ka mundësuar që me hy në telefon dikujt dhe me thirr prej tij, kjo është ajo që ka ndodhur. Për fat të mirë biseda që kam bërë unë, nuk ka dal prej shabllonit që bëjë unë. E kërkojmë njohjen dhe kaq. Për këtë arsye nuk e kanë publikuar shumë këtë, kjo ka mbet me këtë”, tha Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu ka komentuar video incizimin e dy ditë më parë ku shprehen shqetësime nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev për ndryshim të kufijve në rajon, ai tha se ato diskutime janë shqetësuese, por nuk janë risi pasi kanë qenë në dijeni për këto qëndrime.

Haradinaj: Ne kemi qenë në dijeni që këto janë pikëpamjet e kryeministrit Zaev

“Për mua nuk janë ndonjë risi ne kemi qenë në dijeni që këto janë pikëpamjet e kryeministrit Zaev, është kundër lëvizjeve të kufijve ose ndërrimit të territoreve ose ndryshe dhe ndarjes së Kosovës”, deklaroi Haradinaj

Për përmbylljen e dialogun me Serbinë,  i pari i Qeverisë, përsëriti se  zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjelltë  me kufijtë ekzistues. Sipas tij ka tendenca që me ftuar Kosovën vetëm në proces, dhe jo për qëllimin final që është njohja.

Haradinaj: Nuk kemi që me hy në proces në të panjohura

“Kosova s’ka arsye për me u ulë në tavolinë pa u definuar se  ulemi, pra bisedu për njohjen reciproke.  Marrëveshje finale të ndërsjella që rezultojnë në njohjen reciproke. E kemi kërkuar një marrëveshje  kornizë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Nuk kemi që me hy në proces në të panjohura dhe pa definuara”, tha Haradinaj.

Në lidhje me polemikat e zyrtarëve të AAK-së me Nismën Socialdemokrate, Haradinaj tha se marrëdhëniet e partneritetit me Nismën nuk e rrezikojnë Qeverinë që ai e drejton.

Haradinaj: Marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë Qeveri

“Unë kam respekt për Nismën dhe për zotërinë Limaj dhe për angazhimin e tyre në punët që bëjmë bashkë. Sikur edhe ata kanë për angazhimin tim dhe të Aleancës. Kjo fillimi i fundit të kësaj Qeverie nuk dihet kur është fundi dhe fillimi. Ju e dini qysh ka shkuar formimi i kësaj Qeverie, ka qenë e sfiduar qysh në fillim. Pastaj është sfiduar në vazhdimësi me tema. Por marrëdhëniet me Nismën nuk e rrezikojnë këtë Qeveri, nuk jemi në atë drejtim”, tha kryeministri Haradianj.

Sa i përket vizave, kreu i ekzekutivit tha se ende ka skeptizicëm  nga vendet anëtarë të BE-së, por është premtuese dhe shpresëdhënëse nga ana e Gjermanisë për liberalizim të vizave për kosovarët.

Haradinaj gjithashtu tha se do të kërkoi që të largohen kartoni i gjelbër për diasporë, ndërkaq theksoi se shumë shpejt pritet të emërohet edhe ministri i Inovacionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat