Abdullahu: Askush në LDK s’është më i shëndetshëm politikisht se Isa Mustafa

Aktuale

Abdullahu: Askush në LDK s’është më i shëndetshëm politikisht se Isa Mustafa

Më: 12 korrik 2019 Në ora: 20:28
Faton Abdullahu

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, sot gjatë ditës ka shpërthyer me një postim në Facebook ku ka folur rreth të gjitha zhvillimeve të fundit në partinë që ai e drejton.

Ai ka thënë se ata që po e “godasin” LDK-në janë askushi dhe se të njëjtit janë individë që edhe në kohën e Ibrahim Rugovës e kanë braktisur LDK-në.

Opinionisti Faton Abdullahu ka thënë se postimi i të parit të LDK-së është një reflektim i pakënaqësisë qytetare.

“Unë e shoh si reflektim i gjendjes aktuale ku qytetari i Kosovës është në gjendje që të shpërthejë, jo Isa Mustafa dhe LDK-ja, jo opozita edhe pse të gjitha këto bashkë po”.

“Është qytetari i Kosovës që ka pakënaqësi të mëdha dhe detyra e politikanit dhe pushtetarit është që ta masë atë gjendje dhe ta shpalosë në forma të ndryshme”.

“Ky postim i Isa Mustafës shpreh konkretisht një pakënaqësi të qytetarit të Kosovës sepse gjendja është shumë e rëndë”.

“Një parti opozitare ka të drejtë në çdo aspekt ta bëjë një gjë të tillë dhe këtë e ka bërë Isa Mustafa”.

“Në bazë të të dhënave të ndryshme, LDK shihet si forca politike më e madhe. Isa Mustafa e ka forcuar partinë dhe e ka rritur dhe kjo është meritë edhe e tij sepse ka qenë në krye të kësaj partie”.

Por, kush janë armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm që Isa Mustafa i përmend pa emra të përveçëm në postimin e tij të ashpër?

“Kundërshtuesit, ata që nuk pajtohen me atë politikë janë ata që e shohin LDK-në si forcë politike e cila po vjen, po konsolidohet dhe prej të cilës po pritet që të bëjë ndryshime. Këtu qëndron frika e njerëzve, analistëve dhe atyre që janë në krahë të tjerë politikë kundër LDK-së”.

“LDK është në konsolidim e sipër, po forcohet edhe më shumë dhe është ajo që do ta marrë pushtetin”.

“Unë personalisht mendoj që do të duhej me patjetër që LDK-ja ta marrë pushtetin sa më shpejt”.

“Po nuk e mori LDK-ja pushtetin sa më shpejt është dëm për Kosovën. LDK është forca kryesore politike e cila në Bruksel do t’ia sigurojë Kosovën karrigen”.

Abdullahu në Info Magazine ka thënë se mënyra se si Isa Mustafa po komunikon me njerëzit brenda partisë është e duhura.

“Nuk e kuptoj pse dikush i jep të drejtë vetes të thotë që Isa Mustafa nuk mund të kritikojë ata që janë brenda partisë së tij. Nuk ka gjë më të logjikshme dhe ndershme se sa t’i kritikosh ata me të cilët punon”.

“Sikur Isa Mustafa ta shtronte problemin ndryshe dhe të thoshte se të gjithë duhet të jemi bashkë, të punojmë dhe nuk duhet ta bëjmë këtë ose atë, ne do të na akuzonim për një qasje jopragmatike”.

“Nuk shoh asgjë të keqe kur Isa Mustafa flet kështu si ka folur. Kryetari i partisë duhet të shprehë mendime kështu dhe kështu vetëm kështu”.

“Këto debate mund të bëhen brenda dhe e di që bëhen brenda, por mund të bëhen edhe kështu që ngjallin debat brenda shoqërisë”.

Madje, ai ka thënë se i pari i LDK-së është politikisht më i shëndetshëm se të gjithë të tjerët në partinë që ai e drejton.

“Unë personalisht mendoj se askush politikisht nuk është më i shëndetshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës se sa Isa Mustafa aktualisht. Është faktor unifikues dhe nuk ka figurë tjetër aktuale që mund të krijojë unitet”.

“Në këtë postim të tij të fundit ka treguar që e ka guximin edhe ta thotë që kështu si është nuk bën dhe ndëshkon në kuptimin politik partiak”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat