E thotë njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese: Vetëm këto dy parti mund ta bëjnë ndryshimin në Kosovë

Aktuale

E thotë njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese: Vetëm këto dy parti mund ta bëjnë ndryshimin në Kosovë

Nga: N.H Më: 12 korrik 2019 Në ora: 23:46
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Njohësi i çështjeve juridike-kushtetuese, Blerim Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur për përplasjet e fundit mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate.

Gjithçka nisi kur Muharrem Nitaj i AAK-së tha se, “Çarshia flet që Limaj po kthehet në PDK”. Ndaj, kësaj deklarate fillimisht reagoi deputeti Haxhi Shala.

“Veç në Kosovë ndodh që një deputet në debat politik të një televizioni me frekuencë kombëtarë shërbehet me fjalë të çarshive për të bërë goditje të ulëta, siç e tha Muharrem Nitaj. Ai sonte na tregoi se edhe në tv edhe në parlament, kur flet, si argument dhe bazë e fjalimeve të tij janë fjalët e çarshisë ose me thënë më shqip thashethemet, e bëhet zëdhënës i shpifësve e mashtruesve”, ka thënë Shala

Ndërsa, Burjani për të gjitha këto thotë se partia e Limajt gjithmonë ka pasur vërejtje dhe dilema rreth këtij koalicioni.

Sipas tij, PAN duhet të shkrihet në një subjekt politik, pasi ai thekson se dallime mes këtyre partive nuk ka fare, dhe se vetëm liderët i kanë bajraktarë.

 “Sidoqoftë janë dy subjekte të ndryshme në qeverisje të përbashkët. NISMA ka pas gjithmonë vërejtje dhe dilema rreth këtij koalicioni. Arsyet e hyrjes së këtij subjekti në koalicion mbetën të panjohura, duke pas parasysh ishin fraksion i PDK-së, edhe sot mbetën në esencë vetëm fraksion, por nuk paraqesin ndonjë subjekt politik vetjak me identitet të qartë. PAN duhet të shkrihet në një subjekt politik dallime nuk kanë fare vetëm liderët i kanë bajraktarë, secili në vete por asnjë arsye të vetme nuk kanë të dallueshme”, është shprehur ai.

Ai konsideron se kjo përçarje nuk do të ndikoj negativisht në këtë koalicion zhvatës.

“Nuk besoj se kjo përçarje do të ndikoj negativisht në këtë koalicion zhvatës, përndryshe AAK ka qëllime të veta të pasurimit pa bazë, por sikur edhe NISMA dhe PDK këto subjekte politike duhet të ndalin veprimtarin politike për të reformuar dhe duhet bashkëpunuar me organet e rendit dhe ligjit”, tha ai.

Në fund, ai shpjegon se vetëm LDK e VV, me iniciativat qytetare mund të bëjnë ndryshimin në qeveri.

“Këto subjekt politike janë zhvatëse. Një subjekt surrogat është themeluar me emrin PEK së fundi, që është surrogat i PDK-së, i njëjtë me këtë subjekt dhe njerëzit që e përbejnë atë. Skena politike mbetët e varfër, e pa alternativë, vetëm LDK e VV, bota intelektuale dhe iniciativat qytetare mund të bëjnë ndryshimin në qeveri”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat