Kush i dha leje Gjuriqit të vizitojë Kosovën? MPJ e Qeveria i drejtojnë gishtin njëra-tjetrës

Aktuale

Kush i dha leje Gjuriqit të vizitojë Kosovën? MPJ e Qeveria i drejtojnë gishtin njëra-tjetrës

Më: 13 korrik 2019 Në ora: 00:08
Haradinaj dhe Pacolli

Marko Gjuriq, shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, brenda qeverisë së Serbisë sot ka vizituar Kosovën.

Gjuriq ka vizituar sot Zveçanin për të inauguruar një kompleks hotelerie i cili sipas raportimeve është financuar nga Serbia.

Kjo po ndodh një javë pasi Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës mori vendim që të mos e lejojë hyrjen në Kosovë të asnjë zyrtari serb.

Ky vendim i MPJ-së, bëri shumë zhurmë. Fillimisht, ishte kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ajo që tha se ky vendim është “lajm i rremë”, dhe se nuk ishte marrë një vendim i tillë.

Njëlloj tha edhe kryeministri Haradinaj, duke lënë të kuptohet se nuk kishte koordinim të shefit të qeverisë me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ndërsa, për vizitën e sotme të Gjuriqit, Ministria e Punëve të Jashtme i ka dhënë një përgjigje zyrtare.

“Gjuriq e ka marrë lejen për vizitë nga Qeveria e Kosovës dhe jo nga Ministria e Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Në anën tjetër media ka kontaktuar edhe me zyrën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilët kanë thënë se për punën e lejeve duhet të pyeten nga në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Kosovës i kanë drejtuar gishtin njëra-tjetrës për vizitën e Gjuriqit në Kosovë.

Vlen të theksohet se ndalim të hyrjes në Kosovë ka marrë edhe ministri serb i mbrojtjes, Aleksandër Vulin, pasi po konsiderohet se qëllimet e tij janë provokuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat