OAK: Muaj të tërë pritje për një takim me ministrin Lekaj

Aktuale

OAK: Muaj të tërë pritje për një takim me ministrin Lekaj

Më: 15 korrik 2019 Në ora: 16:20
OAK

Oda e Afarizmit e Kosovës shpreh shqetësimin për injorimin që ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj është duke iu bërë kërkesave të bizneseve të cilat duhet të presin me muaj të tërë për të realizuar një takim në lidhje me zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës rrugore.

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës në shkurt të këtij viti zhvilluan një takim me ministrin Lekaj, me ç’rast i dorëzuan edhe projektin e financuar nga OAK dhe bizneset për rregullimin e rrugës së bizneseve në zonën e Harilaqit në komunën e Fushë Kosovës dhe që ka edhe mbështetjen e kryetarit të kësaj komune.

Gjatë këtij takimi Ministri premtoi që do të financojë këtë projekt dhe mjafton vetëm një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Fushë Kosovës

(http://odaeafarizmit.org/ministri-lekaj-financon-asfaltimin-e-rruges-per-bizneset-e-zones-se-harilaqit/).

Pas këtij takimi OAK realizoi një takim me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës Burim Berisha nga i cili morën përkrahje se është i gatshëm në çdo kohë të realizojë këtë memorandum me ministrin Lekaj.

Nga ky takim OAK në vazhdimësi është duke kërkuar realizimin e takimit në mes OAK, MIT dhe Komunës së Fushë Kosovës dhe nuk ka pranuar ndonjë përgjigje, përkundër kontaktimeve të vazhdueshme të zyrtarëve të OAK-së me kabinetin e ministrit.

Ministria ka sqaruar OAK-un se kjo çështje po trajtohet me prioritet, por ministri Lekaj për shkak të agjendës ende nuk po gjen kohë që të realizojë një takim.

Meqenëse bizneset që operojnë në këtë zonë, janë biznese të mëdha dhe të cilat kanë problem të madh infrastrukturën dhe përmirësimi i kushteve aktuale është më se i nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, OAK kërkon nga ministri Lekaj që të tregohet më shumë bashkëpunues dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme në mënyrë që kjo rrugë të rregullohet siç është premtuar.

OAK vlerëson se neglizhenca që është duke iu bërë përkrahjes së bizneseve nuk i kontribuon klimës së të bërit biznes në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat