Opsioni i korrigjimit të kufijve mund të rikthehet në tavolinë - Bota Sot
Opsioni i korrigjimit të kufijve mund të rikthehet në tavolinë

Aktuale

Opsioni i korrigjimit të kufijve mund të rikthehet në tavolinë

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 15:21
Ilustrim

Pikërisht në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, presidenti i Francës Emmanuel Macron përsëriti faktin e pamohueshëm se Kosova është shtet evropian, ndonëse pala serbe vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

   

Pas një takimi që pati dje me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, kreu i shtetit francez pohoi se Franca do të angazhohet për ta rinovuar procesin e dialogut dhe për ta gjetur një zgjidhje, që do të çonte drejt marrëveshjes finale.

Megjithëkëtë njohësit e çështjeve politike që veprojnë në Francë dhe në Kosovë thonë se pavarësisht këtyre përpjekjeve rinisja e procesit të negociatave është vështirë të ndodhë, pasi që të dyja palët e përfshira në dialog vazhdojnë të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi është bllokuar qe dy vjet.

Ndërmjetësuesja e dialogut Federica Mogherini, sipas saj, i ka shkelur parimet duke e lënë si opsion të hapur diskutimin për kufijtë mes dy shteteve.

“Mogherini shkeli parimet evropiane në Ballkan duke lënë hapësirë për temën e ndryshimit të kufijve, kur ne të gjithë e dimë që në Ballkan nuk duhet të hapet kjo temë”, ka deklaruar Tahiri për gazetën ‘Zëri’.

Ndërkohë, teksa ka folur rreth çështjes së korrigjimit të kufijve, Valon Murtezaj ka thënë se Franca asnjëherë nuk ka pohuar se mbështet një opsion të tillë.

“Në asnjë rast as presidenti Macron dhe as Franca zyrtare nuk e kanë përmendur që përkrahin ndryshimet e kufijve. Përkundrazi, takimi i fundit në Berlin i ka dhënë pothuajse fund një ideje të tillë”, ka nënvizuar ish-zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës.

Por Kraki ka thënë se Franca dëshiron zgjidhje pavarësisht asaj se cila palë mbetet fituese e cila humbëse.

“Franca është në ngutësinë e përgjithshme evropiane, e cila si synim ka zgjidhjen ose mbylljen e dosjeve të hapura politike në periferinë e Evropës. Njëra ndër këto dosje është Kosova dhe duke e parë se liderët e Kosovës janë të vetmit që bëjnë kompromise deri në zbehjen ose shpërfytyrimin e shtetësisë së Kosovës, atëherë edhe Franca dhe Macron pajtohen me këtë fakt. Këta duan zgjidhje, pavarësisht kush humb e kush fiton në tavolinë”, ka theksuar Kraki.

Opsioni i korrigjimit të kufijve sipas Jeta Krasniqit nuk ka vdekur ende, pavarësisht disa deklarimeve se kjo ide ka marrë fund. Përkundrazi, sipas saj, kjo çështje mund të kthehet sërish në tavolinën e bisedimeve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...