Haradinaj në “Solid”: Do t’i përkrahim prodhuesit vendor

Aktuale

Haradinaj në “Solid”: Do t’i përkrahim prodhuesit vendor

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 15:43
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë një vizite sot në fabrikën për prodhimin e këpucëve ‘Solidi’ në Suharekë ka vlerësuar lart suksesin e kësaj ndërmarrjeje, e cila me kualitetin e prodhimeve të veta ka fituar besimin e konsumatorëve në vend.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Haradinaj u njoh për së afërmi me punën e kësaj fabrike, duke thënë se rastet e sipërmarrjeve të tilla janë storie suksesi për Kosovën. 

Haradinaj: Një mundësi të përballemi me storiet e suksesit të Kosovës 

“Një mundësi edhe njëherë për t’u ballafaquar me një storie suksesi të Kosovës, është storie të suksesit. Është një prodhim brend që tani i besojnë tregjet evropiane, tregjet më të avancuara, është një prodhim që e ka fituar besimin e konsumatorëve në Kosovë dhe është i përhapur”, tha Haradinaj. 

Ndërsa për pronarin e kësaj fabrike të prodhimit, Ahmet Kuqi, vizita e kryeministrit të Kosovës është e mirëseardhur, por kërkoi nga ai që të kenë mbështetje nga Qeveria që së paku institucionet e Kosovës të pajisen me këpucët e kësaj fabrike. 

Kuqi: Presim mbështetje që institucionet të marrin këpucët ‘Made in Kosova’ 

“Kryeministër të falënderojmë që keni gjetur kohë të na vizitoni, ta shihni nga afër prodhimin tonë. Ju na keni vizituar edhe herëve tjera, por kësaj radhe besoj se keni qenë më të kënaqur, pasi është vërejtur që diku 80 për qind gjatë ditës prodhohet për vendet evropiane. Njëkohësisht, presim që të na mbështetni, të paktën në institucionet që të marrin këpucën ‘Made in Kosova’”, tha Kuqi. 

Haradinaj theksoi se produktet e prodhuara nga kjo kompani do të duhej të përdoreshin nga institucionet e sigurisë në  Kosovë, pasi kjo do të kontribuonte edhe në hapjen e vendeve të punës. 

Haradinaj: Solid duhet të jetë produkti i parë për institucionet e Kosovës 

“Mendoj se është me rëndësi që institucionet e Kosovës, ato të sigurisë, pra kuptohet do t’i blejnë të gjitha ato pajisje që nuk i prodhon Kosova, por ato që i prodhon Kosova. Është rregull e pashkruar - vijnë të parët, pra ato që i prodhojmë ne. Ishte dashur të jetë produkti i parë këpuca ‘Solid’ për ushtarin, policin, zjarrfikësin, doganën, institucionet e Kosovës që paguhet me buxhet të popullit. Atëherë pse të eksportojmë paratë tona jashtë e të hapim vende të punës jashtë, kur mund të hapim këtu. Ju i patë, mbi 80 për qind e të punësuarve janë të gjinisë femërore që është shumë vështirë të hapen vende të punës sot për femra e sidomos në zonat e zhvendosura”, tha kryeministri Haradinaj.

I pyetur nga mediat se sa po ndihmon Qeveria në hapjen e vendeve të punës në këtë komunë, Haradinaj theksoi se ka një shpërputhje në mes kualifikimeve që kanë të rinjtë dhe profesioneve, të cilat kërkohen nga bizneset.

Haradinaj: Ka shpërputhje mes kualifikimit të punëtorëve dhe profesioneve që kërkohen   

“Këta sipërmarrësit flasin vetë se çka iu nevojitet si kualifikim, si punëtorë të kualifikuar. Është një shpërputhje në mes kualifikimeve dhe profesioneve që kërkohen. Po, është e vërtetë që sot për ditë e më shumë po kërkohen profesione si rasti ku jemi në prodhim dhe raste tjera. Shpresoj që arsimi profesional ose ai dual do të jetë më prezentë”, tha Haradinaj. 

****

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë vizitës që ka bërë sot në komunën e Suharekës ka vizituar fabrikën e këpucëve “Solid”.

Haradinaj  është ndarë i impresionuar  nga fakti që kjo kompani ka një qarkullim vjetor prej 3.2 milionë euro dhe 249 punëtorë.

Qeveria sipas Haradinajt është e përkushtuar që t’i përkrah prodhuesit vendor duke thelluar reformat fiskale, lehtësi doganore në teknologji, etj.

Postimi i Haradinajt:

Me tregime suksesi, prodhuesit dhe sipërmarrësit e Suharekës, janë bërë shembull që duhet ndjekur.

Në fabrikën e këpucëve “SOLID”, një kompani e suksesshme që me cilësi të lartë të prodhimeve të saj i ka tejkaluar kufijtë, duke ofruar produkte në tregjet e BE-së dhe kudo në botë.

Impresionues fakti që kompania "SOLID", ka një qarkullim vjetor prej 3.2 milionë euro dhe 249 punëtorë. Qeveria e vendit është e përkushtuar që t’i përkrahë prodhuesit vendorë duke thelluar reformat fiskale, lehtësirat doganore për teknologji si dhe duke eliminuar barrierat administrative me të cilat ballafaqohen ata.RH

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat