Vendimi i KSHC-së nuk mund të ndryshohet, e vetmja mundësi është shkarkimi i anëtarëve

Aktuale

Vendimi i KSHC-së nuk mund të ndryshohet, e vetmja mundësi është shkarkimi i anëtarëve

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 16:26
Foto

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të mos akreditojë për këtë vit tri universitetet publike, atë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Pejës është pritur me kundërshtime dhe akuza.

Më i ashpri për këtë vendim është shprehur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Madje anëtarët e KSHC-së kryeministri i ka quajtur mercenarë.

Këtë reagim të Haradinajt nga Lëvizja Vetëvendosje e cilësojnë të rrezikshëm, ndërsa  njohësit e arsimit të lartë thonë se ndonjë veprim eventual i  Haradinajt ndaj këtij vendimi do të izolonte plotësisht Kosovën në organizatat ndërkombëtare të arsimit.

Haradinaj sot paradite duke shprehur shqetësimin e tij tha  se ky vendim iu shkon për shtati më së shumti kolegjeve private.

Për këtë arsye, ai e cilësoi këtë si krim duke thënë  se është vonuar pak për ta ngritur zërin në disa krime që po ndodhin në Kosovë.

Haradinaj: Jam vonuar pak pa e ngritur zërin në disa krime

“Nëse këta që po më thonë mua po ngutesh kryeministër, po iu tregoj atyre që jam vonuar pak pa e ngritur zërin në disa krime, ky është një lloj krimi që është ka ndodh në këtë vendin tonë, kur dikush ka arrogancë me iu thënë krejt këtyre fëmijëve, ndoshta kanë edhe dallavere me universitete private e nuk kanë bërë mjaftë të regjistruar në universitete private, e në emër të cilësisë tash i mshelim këto shkoni në privat. Po nuk munden se ata nuk janë fëmijë të familjeve të pasura, ka edhe të atillë që shkojnë në privat, në të shtrenjtë dhe le të shkojnë, po nuk mundesh pa regjistrua kështu siç ka ndodhur. Edhe kushdo që e ka bërë këtë gabim është dhe në këtë Kosovë nuk punohet kështu, nuk jemi krejt mercenar në këtë vend. E dimë pastaj që kanë me na kritikua se është institucion i pavarur, është cilësia, por po i shohim po ashtu çfarë mafie janë nëpër plot këto institucione të pavarura qà « i ka vendi që nuk po interesohen për interesin e fëmijëve të këtij vendi. Po vërejtjet për cilësi, po kritikat, po kërkesat për përmirësim, por nuk mundës ata fëmijë me i lënë jashtë”, tha Haradinaj.  

Për deputeten e VV-së Arbërie Nagavci,  ky reagim  përveç që është jo profesional është edhe i rrezikshëm për arsimin e lartë në Kosovë.

Nagvaci  u shpreh e rezervuar nëse do të duhej të akreditohen këto universitete, pasi theksoi se do të duhej një analizë më e mirëfilltë dhe raportin e plotë të ekspertëve që e kanë marrë këtë vendim.

Nagavci: Reagimi i kryeministrit është i rrezikshëm për arsimin e lartë

“Reagimi i kryeministrit Haradinaj është krejtësisht joprofesional, por dhe i rrezikshëm për të ardhmen e arsimit të lartë. Ndërhyrjet e tilla politike brutale të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave se e shohim reagime dhe personave të tjerë vetëm se e rëndojnë situatën dhe më shumë dhe mund të rrezikojnë seriozisht kredibilitetin e agjencisë dhe institucioneve të arsimit të lartë”, thotë Nagavci.

Ndërsa  drejtori ekzekutiv i  Qendrës  për Arsim në Kosovës, Dukagjin Pupovci thotë se disa universiteteve  publike iu ka munguar cilësia në arsim, pasi sipas tij janë hapur në kohë fushatash zgjedhore. 

Pupovci thotë se Qeveria në këtë rast nuk mund të bëjë asgjë përveç se të shkarkojë komplet anëtarët e KSHC-së.

Pupovci: Qeveria mund t’i shkarkoj ata, por vendimin e KShC-së nuk mund të ndryshojë

“Qeveria ligjërisht këtu nuk mund të merr asnjë veprim përveç t’i shkarkojë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Mirëpo, shkarkimi i tyre në këtë situatë do të ishte për motive të vendimmarrjes. Nuk do të ishte se ata kanë bërë ndonjë shkelje janë dënuar për korrupsion apo ku ta di unë çka. Ekzistojnë kushtet ligjore për shkarkim. Qeveria mund t’i shkarkojë  ata, por vendimin e KSHC-së nuk mund të ndryshojë. Pastaj mund të emërojë ndonjë përbërje tjetër,  e cila merr vendim qysh dëshiron Qeveria, por, kjo do të përfundonte thjesht në izolimin e plotë të Kosovës, dhe ai vendim do të ishte krejt i padobishëm. Në kushte të tilla, Kosovës nuk i nevojitet akreditimi fare, sepse s’ka kush çka akrediton”, tha  Pupovci për KosovaPress.

Këtë vendim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, e ka kundërshtuar  edhe ministri i Arsimit, Shyqyri Bytqyi. Dje në një konferencë të jashtëzakonshme Bytyqi ka thënë se ka pasur disa paqartësi nëse ka shkelje ligjore në përbërjen aktuale të KSHC-së, të cilat sipas tij thuhen në shkresën e Agjencionit Antikorrupsion.

Për këtë, ministri deklaroi se i kanë kërkuar KShC-së që mos të ketë vendimmarrje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Bytyqi: Kemi kërkuar që të mos ketë vendimmarrje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve

“ Kemi pasur një shkresë, e cila ka ardhur nga Agjencioni Antikorrupsion, për disa çështje, të cilat janë ngritur në këtë shkresë AKA dhe KSHC ka pasur nevojë t’i qartësojë, sepse në shkresën e Agjencionit Antikorrupcion thuhet se ka shkelje ligjore në përbërjen aktuale të KSHC-së dhe ne iu kemi drejtuar KSHC-së në mënyrë që këto çështje të cilat janë ngritur nga Agjencioni Antikorrupcion të qartësohen dhe të zgjodhën shumë shpejt nga KSHC dhe ne kemi kërkuar që të mos ketë vendimmarrje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve”, u shpreh ministri Bytyqi.

KShC po ashtu nuk i ka akredituar edhe disa kolegje private.

Ndryshe, për shkak të shkarkimit të anëtarëve të KShC-së në vitin 2018 Kosova nga statusi anëtar në EQAR ka kaluar në anëtar nën vëzhgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat