KSHC: Çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do t’i denoncojmë në drejtësi

Aktuale

KSHC: Çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do t’i denoncojmë në drejtësi

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 16:30
Ilustrim

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) është deklaruar lidhur me vendimet e këtij këshilli të datës 15 korrik 2019, duke thënë se Institucionet e Arsimit të Lartë – IAL, që nuk kanë marrë vlerësim pozitiv për akreditim, nuk do të mund të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019-20.

Deklarimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë për Akreditim në Kosovë vjen pas vendimit për të mos akredituar për vitin akademik 2019/2020 universitetet publike në Prizren, Pejë dhe Mitrovicë.

“Ato nuk do të mbyllen, por do t’i nënshtrohen sërish procesit të re-akreditimit institucional teksa studentët aktualë vazhdojnë studimet në programet e akredituara”, thuhet në deklaratë.

KShC shpreh shqetësimin për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të KShC-së për lojë politike dhe thotë se do të rezistojë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KShC-së, ku çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do ta denoncojnë në institucionet e drejtësisë.

Për më tepër, KSHC përkujton se ka një sërë standardesh të bazuara në Standardet dhe Udhëzimet për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë 2015, që synojnë garantimin e cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, konform standardeve evropiane.

“Këto standarde përfshijnë akreditimin institucional të IAL-ve dhe programeve të studimit. Në të parën janë 11 standarde (misioni publik dhe objektivat institucionale; planifikimi strategjik, qeverisja dhe administrimi; planifikimi dhe menaxhimi financiar; integriteti akademik, përgjegjësia dhe përgjegjësia publike; menaxhimi i cilësisë; mësimi dhe mësimdhënia; hulumtimi; stafi, proceset e punësimit dhe zhvillimi profesional; administrimi i studentëve dhe shërbimet mbështetëse; burimet e mësimit dhe objektet; dhe bashkëpunimi institucional), dhe të dytën janë 7 (misioni publik dhe objektivat institucionale; menaxhimi i cilësisë; stafi akademik; përmbajtja e procesit arsimor; studentët; hulumtimi; infrastruktura dhe burimet). Këto standarde janë përcaktuar bashkërisht me AKA-në, IAL-të dhe ekspertët ndërkombëtar, përmes një procesi gjithëpërfshirës”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër KSHC përkujton se vlerësimi i bazuar në këto standarde bëhet nga ekspertët ndërkombëtarë dhe se IAL-të janë të informuara për çdo hap në vlerësimin institucional dhe/apo të programeve mbi këto standarde, dhe marrin pjesë në çdo fazë të vlerësimit nga ekspertët ndërkombëtar.

“KShC merr vendime mbi rekomandimet e ekspertëve sipas mandatit që ka dhe legjislacionit në fuqi. Ekspertët janë nga ENQA, miratuar nga KShC, ndërsa përzgjedhja e ekspertëve për vlerësim të IAL-ve dhe programe të studimeve, është përgjegjësi e drejtorit dhe stafit të AKA-së. Përzgjedhjen e ekspertëve për IAL-të dhe programet e ka bërë AKA”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndryshe, KShC është organ i vetëm për vendim-marrje dhe politikë-bërje  në çështjet e akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL-ve) dhe programeve të studimeve në Republikën e Kosovës, mandat ky i dhënë nga Ligji për Arsimin e Lartë.

KShC është votuar nga Parlamenti i Kosovës, në prill 2018 dhe ka marrë rol aktiv pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që jashtëligjshëm kishte shkarkuar KShC-në paraprake, që rezultoi me përjashtim nga EQAR.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat