Debat i ashpër mes Rron Gjinovcit dhe Arbër Reçit për mos akreditimin e disa institucioneve të arsimit universitar

Aktuale

Debat i ashpër mes Rron Gjinovcit dhe Arbër Reçit për mos akreditimin e disa institucioneve të arsimit universitar

Më: 16 korrik 2019 Në ora: 23:44
Rron Gjinovci dhe Arbër Reçi

Në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, është zhvilluar debat i ashpër për mos akreditimin e disa institucioneve të arsimit universitar.

Arbër Reçi nga Universiteti Iliria ka thënë se ekpertët evropianë kanë bërë vlerësime për institucionin arsimor që ai përfaqëson, por ai thotë se ekspertja nga Rumania nuk ishte aspak profesionale qysh në atë vizitë.

“Kam hulumtuar edhe në rrjetet sociale që ky person nuk i plotëson kushtet për akreditim. Nga shtatë kushtet kjo nuk i plotëson 3 apo katër. Nuk ka pranuar asnjëherë në universitet. Para katër vitesh ka doktoruar. Që nga doktorimi asnjëherë nuk ka dhënë mësim në universitet si profesor ashtu siç e kërkon udhëzimi administrativ”, deklaroi Arbër Reçi nga Universiteti Iliria.

Nga ana tjetër Rron Gjinovci nga organizata ORCA ka thënë se është shqetësuese që përfaqësuesi i institucionit privat nuk respekton profesionin e ekspertes duke e quajtur këtë të fundit “rumune”.

“Ajo është eksperte pasi është certifikuar nga KUAR dhe ENKA. Një person si ju [Arbër Reçi] nuk mund t’i tregoni këtyre institucioneve se kush është ekspert e kush jo. Agjencia e Akreditimit është pjesë e këtyre institucioneve dhe e ka obligim të merr ekspertët nga këto institucione për vlerësimet që bëhen”, ka deklaruar Rron Gjinovci nga ORCA.

Gjinovci më tej ka akuzuar institucionet private si shkatërruese të arsimit të lartë në Kosovë.

“Këto institucione e kanë shndërruar në biznes dhënien e diplomave. Dihet se fakultetin e mbaron në institucionet private kur të mbarohen të gjitha ratat e pagesës”.

Arbër Reçi nga Universiteti Iliria ka akuzuar Gjinovcin se nuk ka asnjë përvojë në universitet derisa thotë se vet ka përvojë 24 vjeçare në universitet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat