Haziri: LDK është ende në zgjedhje, derisa të konfirmohen delegatët s’ka kandidatura - Bota Sot
Haziri: LDK është ende në zgjedhje, derisa të konfirmohen delegatët s’ka kandidatura

Aktuale

Haziri: LDK është ende në zgjedhje, derisa të konfirmohen delegatët s’ka kandidatura

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 16:13
Kryesia e LDK-së

Secila votë e delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvendin Zgjedhor të 3 gushtit, do të jetë vendimtare në atë se kush do të udhëheq me Lidhjen Demokratike të Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Një nga emrat e shumëpërfolur për ta zëvendësuar Isa Mustafën në postin e të parit të partisë, është kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, megjithatë në një prononcim, ai thotë se nuk do ta shpallë kandidaturën e tij për kryetar, përderisa nuk ka një listë përfundimtare të delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvend.

“Përderisa nuk konfirmohet nga organet e LDK’së, Lista e Delegatëve të Zgjedhur prej 355-ve, nuk ka as shpallje të kandidaturave”, ka thënë Haziri.

Ai thotë se deri në një vlerësim të ligjshmërisë së procesit të brendshëm zgjedhor nga partia dhe përfundimit të tij, nuk mund të konsiderohet si kandidat për kryetar.

“Edhe unë edhe askush tjetër nuk është kandidat derisa nuk ka përfundim të procesit dhe vlerësim të ligjshmërisë së kandidaturave. Deri në një listë përfundimtare të delegatëve, nuk ka kandidatura”, ka shtuar ndër të tjera nënkryetari i LDK’së.

Ndërkohë një nga arsyet që ka mbetur ende pa u përmbyllur procesi i brendshëm zgjedhor në LDK’, është Dega e III e Prishtinës, apo siç njihet ndryshe si “Dega e Presidentit Rugova”, pas problemeve që kanë dalë në mes të Hazir Borovcit e Arban Abrashit.

Mos zgjedhja e organeve në këtë degë është edhe një prej arsyeve që Lutfi Haziri nuk do ta bëjë publike ende kandidaturën e tij për të marrë karrigen e të parit të LDK’së.

“Ne ende jemi në zgjedhje, sepse Kuvendi i Prishtinës III, Bregu i Diellit, apo Dega e Presidentit siç quhet, ende nuk është mbyllë. Kështu që jemi në pozitë të njëjtë, nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi”, përfundon Lufti Haziri për Express.

Procesi zgjedhor brenda LDK’së ka kaluar përmes tensionesh të ndryshme deri tek përplasjet fizike ndërmjet mes anëtarëve të partisë. Nga LDK’ja dikush e ka marrë guximin që të thotë se ato rrahje ishin mes anëtarësh, ndërkohë kryetari Isa Mustafa ka aluduar gjithmonë tek një palë e tretë e jashtme, që po tenton t’ia prish procesin.

Edhe në komunikatën e lëshuar për caktimin e datës për Kuvendin Zgjedhor, theksohet që 3 gushti do të jetë një ditë solemne ku do të vërtetohet tradita 30 vjeçare e partisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Kuvendi i LDK-së do të ketë karakter solemn ku do të rikonfirmohet puna dhe performanca e LDK-së, fuqia politike dhe lidhja e fuqishme tridhjetëvjeçare e LDK-së me popullin e Kosovës”, thuhej në njoftimin e djeshëm të LDK’së.

Përveç Luti Hazirit, si emra të mundshëm për kryetar të LDK’së janë përfolur edhe Agim Veliu, Avdullah Hoti, Vjosa Osmani, Kujtim Shala e Isa Mustafa. Megjithatë një gjë e tillë mbetet të shihet pas përfundimit të procesit të brendshëm zgjehdor.

Ndërkohë brenda LDK’së përfolët për një ‘marrëveshja politike’, si mënyrë për të zgjedhur strukturat e reja të partisë, e që do të mundësonte ruajtjen e unitetit të brendshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...