Kryetari i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, po merr pjesë në Forumin e Lidershipit të organizuar nga Komisioni i Kongresit Amerikan për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë.
Ky forum ka mbledhur në Washington DC parlamentarë nga rreth 18 parlamente të botës, ku bashkë me kongresistë amerikanë po diskutojnë për avancimin e parimeve demokratike në botë.
Hoti ka qenë njëri nga folësit në panelin lidhur me përfshirjen e rinisë në jetën parlamentare dhe në politikë në përgjithësi.
Hoti theksoi se përfshirja e rinisë në politikë, është kyçe për të siguruar se politika i adreson nevojat e tyre.
“Kjo përfshirje bëhet edhe më e rëndësishme në vendet si Kosova, ku popullsia është shumë e re dhe rreth 1/4 e popullsisë është në arsim. Në shumicën e vendeve, politika ka ndryshuar ngadalë karshi nevojave të të rinjve. Si rezultat, shumë të rinj vendosin të migrojnë dhe kjo është duke na kushtuar si shoqëri”.
Postimi i plotë:
Në Forumin e Lidershipit të organizuar nga Kongresi Amerikan, bashkë me kongresistë amerikanë diskutuam për avancimin e parimeve demokratike në botë. Ky forum ka mbledhur në Washington DC parlamentarë nga 18 parlamente të botës.
Isha i nderuar të jem njëri nga folësit në panelin lidhur me përfshirjen e rinisë në jetën parlamentare dhe në politikë në përgjithësi. Përfshirja e rinisë në politikë është kyçe për të siguruar se politika i adreson nevojat e tyre. Kjo përfshirje bëhet edhe më e rëndësishme në vendet si Kosova, ku popullsia është shumë e re dhe rreth 1/4 e popullsisë është në arsim.
Në shumicën e vendeve, politika ka ndryshuar ngadalë karshi nevojave të të rinjve. Si rezultat, shumë të rinj vendosin të migrojnë dhe kjo është duke na kushtuar si shoqëri.
Kuvendi i Kosovës ka themeluar Grupin e Deputetëve të Rinj me deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, që kryesohet nga deputeti Rekaliu nga LDK-ja. Me gjithë vështirësitë, ky grup i deputetëve kanë përgatitur një plan pune, që është diskutuar me rininë dhe me OJQ, është aktiv në takime me të rinj dhe ka propozuar një rezolutë, e cila i kërkon ekzekutivit të merret me disa çështje specifike për të adresuar nevojat e të rinjve në arsim, punësim, biznes etj. Sidoqoftë, në vendet si Kosova, sfidat e rinisë janë në fakt sfida të gjithë shoqërisë.