Rrëfimi i padëgjuar i Tahir Zemajt: Si u takova me Veselin, Malokun dhe Ramush Haradinaj, kush i tha ktheu në Shqipëri se nuk ki vend këtu!?

Aktuale

Rrëfimi i padëgjuar i Tahir Zemajt: Si u takova me Veselin, Malokun dhe Ramush Haradinaj, kush i tha ktheu në Shqipëri se nuk ki vend këtu!?

Nga: N.Sh Më: 18 korrik 2019 Në ora: 10:50
Ramush Haradinaj dhe Tahir Zemaj

Kolonel Tahir Zemaj ka rrëfyer për kohën e luftës dhe takimin e parë me Sali Veselin, Naim Malokut dhe Ramush Haradinaj.

Në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, thuhet se, gjatë qëndrimit të tyre në Jasiq shkuan dy vetë nga Juniku.

“Më ftuan të shkoja në Junik dhe të njihesha me ta. Së bashku me Rrustem Berishën dhe Kemajl Shaqirin, të shoqëruar nga komandanti i fshatit Jasiq kemi zbritur në Junik, ku jemi takuar me eprorët Sali Veseli, Naim Maloku dhe Ramush Haradinaj”.

“Sali Veselin e njihja që më parë, për Naim Malokun kisha dëgjuar, ndërsa për Ramush Haradinaj nuk kisha dëgjuar kurrë. Aty më thanë që “ai ishte komandant i Zonës së Dukagjinit, Sali Veseli Kryeshef i Shtabit, ndërsa Naimi, Komandant i Rekës së Keqe”, kështu u prezantuan”, ka thënë Zemaj.

Ai ka treguar se si kishte hyrë në Kosovë me aq ushtarë, eprorë dhe brigada.

“Fatkeqësisht, vërejta se nuk qeshë i mirëpritur për ta, përkundër faktit që populli, banorët e atyre anëve na kishin pritur me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Sali Veseli i ka befasuar të gjithë eprorët, edhe mua sigurisht, pasi ne e dinim që ai kishte nënshkruar vetë për Ahmet Krasniqin, e aty shprehej se ne nuk qemë të mirëseardhur dhe se do të ishte mirë të riktheheshim në Shqipëri (!)  I kam thënë se ai “nuk mund të na ndalojë tokën e Kosovës, se ajo është toka jonë dhe ne do të punojmë për të si ushtarë të thjeshtë. Nuk kemi ardhur këtu për të marrë pushtet, por për të bashkëpunuar dhe hapur rrugë profesionalizmit në drejtimin e luftës”. Në uniformat tona ka qenë emblema e UÇK-së, gjë që nuk lejonte askënd të gabohej se ne kishim hyrë si fraksion në luftë, përkundër shpifjeve që qenë hapur nga gazeta dhe njerëz dashakeqë. Kjo ka qenë edhe pjesë e marrëveshjes së bërë në Norvegji, të cilën e përmenda më lart. Në bisedë ka ndërhyrë edhe Naim Maloku. Ne kemi qenë të informuar për vështirësitë që kishte hasur zotni Maloku gjatë hyrjes në Kosovë, për humbjet që kishte pësuar njësiti i tij etj.”, citohet Zema.

Ai thotë se aty kanë biseduar shumë e gjatë dhe nuk kanë arritur asgjë.

“Unë deklarova se jam nën komandën e Shtabit Suprem të Republikës së Kosovës, se kemi ardhur të kontribuojmë, por ata gjithmonë përdornin fjalën e fundit: “Kthehuni në Shqipëri, pasi këtu nuk keni vend! “Me gjithë këmbënguljen dhe qëndrimin tonë të arsyeshëm, nuk arritëm gjë. Kur jemi kthyer, kam informuar trupat dhe eprorët se si qëndronte puna dhe të gjithë janë befasuar, pasi ne e dinim se ishte arritur një marrëveshje mes Shtabit Suprem dhe komandantëve të UÇK-së që vepronin në terren. Ata na propozuan që formacionet tona të shpërndaheshin në të gjithë Kosovën, që eprorët tanë të bëheshin komandantë fshatrash. Këtë gjë unë e kam kundërshtuar, megjithatë i kam ftuar ata që të vinin në bazën tonë, në fshatin Jasiq dhe të flisnin edhe me oficerët tjerë. Ne kishim me vete 22 oficerë. Kishim ndërmend të organizonim të gjitha komponentët e mbrojtjes”.

“Deri në atë kohë ekzistonin njësi të mbrojtjes territoriale nëpër fshatra, formacione të dobëta vetëmbrojtëse nëpër disa vija të papërcaktuara  mirë të frontit. Megjithatë, në parantezë po them se në 72 fshatra të Rrafshit të Dukagjinit kam pasur rast të takoj jo 72, por më shumë se 150 komandantë, çdo fshat i kishte dy a tre komandantë. Thirrej komandant edhe drejtuesi i një grupi prej dy-tre vetash. Është fakt që ata e pranuan ftesën time dhe në bisedë me oficerët e tjerë, kur u pa që asnjëri prej tyre nuk kishte ndërmend të vepronte sipas kërkesës së tyre jo logjike, ata të tre, në mënyrë fyese, denigruese janë ngritur dhe e kanë braktisur takimin duke u shprehur se “Nuk kishin se çka të bisedonin më me ne”. Me thënë të drejtën kjo gjë më ka brengosur shumë. Kisha dhënë urdhër që në hyrje, se asnjë nga luftëtarët e brigadave tona nuk do ta përdorte kurrë pushkën e tij kundër shqiptarëve. Veç, si të them, kur të gjendeshim me shpatulla për muri, për të mbrojtur jetën. Ua kam bërë të qartë se si shqiptarë që ishim ne nuk kishim se pse t’i frikoheshim njëri-tjetrit, por për hirë të Kosovës dhe popullit të saj, unë isha i gatshëm të lëshoja pe, të përkulesha para tyre, veç që të mos arrinte puna deri në konflikt me njëri-tjetrin, gjë që do të na bënte gazi i botës dhe do të çonte ujë në mulli të okupatorit. Isha i bindur që sistemi serbi spiunazhit punonte pa ndërprerje, dhe ata këtë gjë prisnin”, thuhet në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat