Marrëveshja e Brukselit e nxjerr Thaçin në pozicione kundërshtuese me amerikanët

Aktuale

Marrëveshja e Brukselit e nxjerr Thaçin në pozicione kundërshtuese me amerikanët

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 15:21
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka përfaqësuar Kosovën në dialogun e Brukselit për normalizimin e raporteve me Serbinë, në fund të majit të këtij viti kishte thënë se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë themelimin e kurrfarë lloji të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Marrëveshja për themelimin e ASK’së ishte pjesë e marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar në vitin 2013.

Thaçi kishte thënë se në këmbim të themelimit të ASK-së ishte premtuar njohja nga Serbia, e meqenëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur, atëherë çështja e Asociacionit është ‘e vdekur’.

“Në asnjë rrethanë, nuk do të lejojmë as Asociacion as ekzekutiv, as kurrfarë ..zero. Ka qenë kohë ndryshe kur ka ndodhë, është premtuar njohja, s’ka ndodhur, le ta harrojnë, ajo punë është e vdekur”, kishte deklaruar Thaçi në tv Dukagjin më 30 maj.

Megjithatë mendim pozitiv për marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë SHBA-të, shtet ky që Thaçi i dëshiron në dialogun Kosovë-Serbi me çdo kusht.

Këtë në një intervistë për Zërin e Amerikës e ka thënë diplomati amerikan, Philip Reeker i cili aktualisht është ushtrues i detyrës së zëvendës Sekretarit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë.

Ai thotë se SHBA-të janë partnerë të ngushtë të Evropës dhe se personalisht është angazhuar në dialogun që kishte sjellë marrëveshjen e Brukselit.

Reeker thotë se ajo marrëveshje ka bërë ndryshimin, duke ulur tensionet në rajon për pesë vitet e fundit.

“Kosova dhe Serbia duhet të vendosin bashkë për atë se a janë të gatshme t’i kthehen dialogut. Ne bashkëpunojmë ngushtë me partnerët e BE’së. Unë kam qenë i përfshirë në fazën e hershme të dialogut që e solli marrëveshjen e Brukselit, për të cilën mendoj se ka bërë një dallim të madh në funksionimin e e jetës, vendosjen e një tempoje, uljen e tensioneve në rajon në pesë vitet e fundit”, ka thënë Reeker.

Në këtë intervistë përveç tjerash Reeker ka treguar se SHBA-ja është e gatshme që të inkuadrohen në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se për këtë thotë të ketë biseduar edhe me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeon.

Për qëndrimin e Thaçit kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kishte pasur një përgjigje edhe Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje për Express ata kishin thënë se bëjnë thirrje që të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“BE-ja vazhdon të bëjë thirrje për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur”, thuhej në përgjigjen e Brukselit më 16 qershor të këtij viti (2019)./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat