Haradinaj thotë se liberalizimi i vizave është çështje javësh, apo i dhimbsemi Daçiqit a?

Aktuale

Haradinaj thotë se liberalizimi i vizave është çështje javësh, apo i dhimbsemi Daçiqit a?

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 15:40
Ramush Haradinaj

Është çështje javësh derisa Kosova të merr lajmin për liberalizimin e vizave, pasi që vendi ka përmbushur të gjitha kriteret.

Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në komunën e Fushe Kosovës, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Burim Berisha.

Kreu i Qeverisë u shpreh se është çështje javësh kur Kosova do ta merr lajmin e merituar për liberalizimin e vizave.

Haradinaj: Liberalizimi është çështje krejtësisht vetëm e javëve

“Çështja e liberalizimit të vizave më vjen keq që ditëm ditë një vit nuk është kryer, por po ashtu po dëgjojmë lajme të mira që procesi është shumë më përpara. Në vizitën e ministrit të shëndetësisë që është anëtarë i kabinetit të kancelares Merkel Jens Spahn, e kemi biseduar edhe këtë temë. Unë mendoj se më mirë sesa ndoshta edhe kemi shpresuar jemi në çështjen e liberalizimit të vizave. Pra kryesuesja e komisionit është gjermane, gjermanët kanë marrë po them ashtu një iniciativë në të. Mendoj që tani është çështje krejtësisht vetëm e javëve, e di që disa po thonë mos po nxitohesh kryeministër, ne jemi vonuar, e vërteta është se jemi vonuar, por është çështje javëve që ta marrim këtë lajm të merituar, na takon ky lajm se i kemi përmbushur kriteret”, tha ai. 

I pari i Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ku tha se Kosova ende nuk është futur në agjendë për votim por vetëm për diskutim.

Haradinaj: Ne jemi në rend të ditës si temë, por ende nuk është hy në rend të ditës votimi

“Ne jemi në rend të ditës si temë, por ende nuk është hy në rend të ditës edhe çështja e votimit. Pra, sot kam marrë konfirmimin prej drejtorisë së Interpolit me shkrim se jemi pjesë e diskutimit, po ende nuk është vendosur për të hyrë në votim. Tani a do të hyjmë në votim është çështje edhe a kualifikohemi si të tillë për në agjendë, por është edhe kalkulim i yni a dëshirojmë votimin kësaj here që është në Kili. Kili është një vend jo njohës për fat të keq prapë për ne, mirëpo do ta shqyrtojmë a me e shti në votim kësaj here apo me e lënë në agjendë për një takim të radhës të Interpolit”, u shpreh ai.

Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, se nëse Kosova edhe një herë tenton të anëtarësohet në Interpol, po bënë një vetëvrasje të radhës duke e ditur që ka dështuar në të kaluarën.

Haradinaj: A po i dhimbsemi atij a

“A po i dhimbsemi atij a”, tha ai.

Sa i përket takimit me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se janë disa kërkesa të komunës e që kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë.

“Janë disa kërkesa që e kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë nacionale. Hartat zonale pra janë të nevojshme se është presion i madh i prezencës veç deri tash te bizneseve e të qytetarëve, po edhe i kërkesave të reja. Është çështja e komunikacionit dhe kalimit përmes qytetit, edhe një rrethrrotullim është i nevojshëm, është e pamundshme 70 e sa mijë automjete në ditë kalojnë. E kemi çështjen e trafstacionit, pra transformatorit 110-shë që është në proces dhe shpresoj që do të mbyllet, ujërat e zeza. Kemi çështjen e pronave, Fushë Kosova vuan për mungesë të pronave që kish pasur mundësi me i pas në shfrytëzim për interes të Komunës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kurse, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, tha se shpreson që temat që janë diskutuar të zgjedhën në të ardhmen, në mënyrë që banorët të jetojnë më mirë sesa tani.

Berisha: Shpresojmë që të gjejmë zgjidhje në të ardhmen për këto çështje

“Ishte kënaqësi që erdhi në komunën tonë, si gjithmonë që është i hapur për tema, biseduam disa tema të rëndësishme për qytetarët dhe për komunën e Fushë Kosovës. Biseduam për hartat zonale, biseduam për ujërat e zeza, biseduam për ekonomi, trafik, për prona dhe shumë tema të tjera, shpresojmë që të gjejmë zgjidhje në të ardhmen për këto çështje, që banorët e Fushë Kosovës të jetojnë më mirë sesa tani”, tha kryetari Berisha. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat