Deputetët e opozitës: Ndërhyrjet ndaj KSHC-së janë të dëmshme - Bota Sot
Deputetët e opozitës: Ndërhyrjet ndaj KSHC-së janë të dëmshme

Aktuale

Deputetët e opozitës: Ndërhyrjet ndaj KSHC-së janë të dëmshme

Më: 18 korrik 2019 Në ora: 16:23
Komisioni për Arsim

Pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Arsim, i cili në rend dite kishte diskutimin për gjendjen e krijuar pas vendimeve të fundit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, deputetët e opozitës kërkuan nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Arsimit sqarime të bazuara rreth deklaratave dhe akuzave ndaj KSHC-së.

Kryetari i Komisionit Ismajl Kurteshi i cilësoi i cilësoi si ndërhyrje politike dhe të dëmshme për sistemin arsimor.

Kurteshi tha se Këshilli do të duhej të bëjë publike raportet e ekspertëve dhe procedurat mbi çfarë baze janë marrë vendimet.

Kurteshi: Ndërhyrjet politike ndaj KSHC-së janë pa vend

“Ndërhyrjet apo deklaratat politike si ajo e kryeministrit dhe ministrit janë të pa vend, janë të dëmshme dhe do të duhej të mos ndodhnin për arsye se vetëm sa e dëmtojnë procesin. Nëse kushdo qoftë ka argumente se Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vepruar njëanshëm, nuk e ka zbatuar ligjin, nuk i ka zbatuar procedurat, vendimet duhet t’i kontestoj një gjykatë”, theksoi Kurteshi. 

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku - Rexhepi nga LDK, tha se reagimet e kryeministrit dhe ministrit nuk duhet të ndërhyjnë në KShC, pasi ky institucion duhet të marrë vendime të pavarura.

Bunjaku-Rexhepi tha se kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri Shyqiri Bytyqi është dashur të marrin mësim nga ndërhyrja e kaluar, e cila rezultoi me përjashtim nga ENQA dhe EQAR.

Bunjaku-Rexhepi: Dënojmë ndërhyrjen e kryeministrit dhe ministrit

“Ne si Lidhje Demokratike nuk anojmë as në anën e Këshillit, e as në anën e kryeministrit dhe ministri, por duam që të gjithë ta kryejnë punën e vet për çka janë të thirrur. Këshilli është I thirrur që të monitori universitetet, dhe këto tri universitete nuk janë mbyllë, por nuk janë akredituar. Pra, nuk do me thënë që mos akreditimi është mbyllje”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Deputetja nga Vetëvendosje Arbërie Nagavci kërkoi nga kryeministri Ramush Haradinaj që t’i sqarojë akuzat ndaj bordit të KSHC-së.

Nagavci po ashtu tha se në shtator pritet vendimi i ri nga vendet e BE-së, dhe sipas saj, ndikimet e tilla do ta dëmtojnë shumë procesin dhe kjo gjë mund të lë pasoja për studentët kosovarë.

Nagavci: Kryeministri të sqarohet për deklaratat ndaj KSHC-së

“Është përgjegjësi e kuvendit që të kërkoj nga kryeministri Haradinaj që të sqaroj deklaratat e tij se: Anëtarët e Këshillit të Cilësisë janë persona mafioz dhe mercenarë. Kur një kryeministër del me deklarata të tilla ai është i obliguar edhe ligjërisht, moralisht që të tregoj se ku i mbështet këto deklarata. Përndryshe, duhet të ketë një mobilizim të plotë që ndërhyrjet politike të shmangen dhe Agjencia të lejohet të kryej punën e vet në mënyrë të pavarur”, theksoi Nagavci.

Deputeti i PSD-së, Driton Çaushi deklaroi se Këshilli për herë të parë ka dhënë një shpresë se janë duke e kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur.

Por, shtoi se sot ka qenë një përpjekje duke konsideruar se është urgjente për mbledhjen komisionit për arsim në kuvend.

Sipas tij, KSHC nuk po arrin ta kryejë punën e pavarur, gjë e cila rrezikon anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare për shkak të ndërhyrjeve politike.

Çaushi: Vendimi i KSHC-së shpresë për sistemin arsimor

“Fatkeqësisht siç e patë përveç deputetëve anëtarë të Komisionit nga opozita, nuk kishte anëtarë të tjerë prezent, kjo është zhgënjyese për faktin se ky institucion ka dhënë për herë të parë një shpresë në sistemin arsimor të Kosovës për një mundësi në këndelljen e arsimit të lartë si dhe për një rritje të cilësisë, duke e zhvilluar punën në mënyrë të pavarur. Ne jemi dëshmitar se kjo punë nuk po mund të zhvillohet në mënyrë të pavarur, sepse deklarimet tashmë kanë penguar punën e këtij institucioni. Ajo që është rrezik potencial për këtë institucion janë edhe pengesat e reja për pjesëmarrjen në institucionet evropiane të arsimit të lartë”, deklaroi Çaushi.

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të mos akreditojë për këtë vit tri universitetet publike, atë të Prizrenit, Mitrovicës dhe Pejës është pritur me kundërshtime dhe akuza.

Ndërkohë, vetë KSHC ka shprehur shqetësimin për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të tyre për lojë politike.

Ata thonë se do të rezistojnë ndaj çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe vendimmarrjen e KShC-së, dhe se çdo ndërhyrje të paligjshme nga politika do ta denoncojnë në institucionet e drejtësisë.

Mbledhja e radhës e këtij Komisioni për këtë çështje pritet të mbahet të hënë prej orës 13:00 ku i ftuar është edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...