Albulena Haxhiu, përkujton aktivistin afrikano-jugor Nelson Mandelën - Bota Sot
Albulena Haxhiu, përkujton aktivistin afrikano-jugor Nelson Mandelën

Aktuale

Albulena Haxhiu, përkujton aktivistin afrikano-jugor Nelson Mandelën

Nga: V.R Më: 18 korrik 2019 Në ora: 16:42
Albulena Haxhiu

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar aktivistin afrikano-jugor, Nelson Mandelën, me rastin e vdekjes së tij, shkruan “Bota sot”.

Postimi plotë i saj:

Para 10 vitesh, në 18 korrik 2009, Kombet e Bashkuara përmes një rezolute vendosën që në këtë datë të përkujtohet aktivisti i shquar afrikano-jugor, Nelson Mandela.

Kjo datë, e cila është edhe datëlindja e kësaj figure që ka lënë një trashëgimi për gjithë botën, sot njihet si Dita Ndërkombëtare e Mandelës, këtij njeriu që dha gjithë jetën e tij për drejtësi shoqërore, për barazi e çlirim për popullin e vet.

Për dekada të tëra Mandela u burgos e vuajti përndjekje, por kurrë nuk u dorëzua. Ideali për atdheun e popullin e tij ishte më i madh se shtypja e egër nën apart’heid.

Ne shqiptarët e kemi provuar egërsinë e apart’heidit nën Jugosllavi, dhe kemi qenë me fat që edhe ne kemi patur pishtarë njerëzorë, të cilët njësoj si Mandela, kanë bërë dritë për kombin tonë në atë natë të errët. Ende kemi të tillë mes nesh, që nuk i ndal dot as dhuna e shtypja, as korrupsioni e presioni, në betejën e tyre për emancipim e çlirim, për barazi, drejtësi e bashkim kombëtar.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Mandelës i nderojmë të gjithë ata që marrin shembuj nga shpirti i pathyeshëm i Nelson Mandelës, e nëse ai ia kushtoi 67 vite të jetës çështjes së çlirimit e drejtësisë, ne së paku t’ia kushtonim 67 minuta në ditë çështjes së drejtësisë shoqërore e përparimit në vendin tonë, sepse ky është kontributi më i mirë politik që mund t’i japim botës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...