Reagon Isa Mustafa pas vrasjes së fëmiut 9 vjeçar, ka dy fjalë edhe për qeverinë

Aktuale

Reagon Isa Mustafa pas vrasjes së fëmiut 9 vjeçar, ka dy fjalë edhe për qeverinë

Nga: Z.B Më: 18 korrik 2019 Në ora: 23:12
Isa Mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar për fëmiun 9 vjeçar të dhunuar dhe të mbytur në Fushë Kosovë, ai ka thënë se po mundohet të bëhet lajm në medie, sipas tij, por s’di sa po arrihet. Mustafa këtë vrasje e ka quajtur monstruoze e një qenie njerëzore, e një qytetari të pafajshëm e të varfër që bukën e siguronte nga mbledhja e kanaqeve, përcjell “Bota sot”.

Mustafa këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook i cili ka shkruar se çdo temë duket se është më e rëndësishme sesa përdhunimi dhe vrasja makabre e një fëmiu të pafajshëm nga një kriminel i njohur për organet e rendit. Se vuajtja e një nëne.

“Nuk mundem e mos ta shtroj pyetjen sesi do të silleshim ne të gjithë po të ishte ai fëmi i një qeveritari, i një parlamentari, i një polici, i një prokurori?! Po të ishte fëmi shqiptar? E lere, po te ishte serb, që do të kumbonin këmbanat e të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Është një fëmi rom. Ashtu siç ishte një rome e shkretë që u rrah mizorisht në publik në Lipjan dhe në Ferizaj”, ka shkruar ai.
 

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,
Një fëmi 9 vjeçar i dhunuar, i komunitetit rom në Fushë Kosovë , dhe i mbytur, po mundohet të bëhet lajm nga mediat tona. Por s’di sa po arrihet. Një vrasje monstruoze e një qenie njerëzore, e një qytetari të pafajshëm e të varfër që bukën e siguronte nga mbledhja e kanaqeve, vështirë se po depërton në ndërgjegjen tonë shoqërore, e më së paku në përgjegjësinë shtetërore.
Çdo temë duket se është më e rëndësishme sesa përdhunimi dhe vrasja makabre e një fëmiu të pafajshëm nga një kriminel i njohur për organet e rendit. Se vuajtja e një nëne.
Nuk mundem e mos ta shtroj pyetjen sesi do të silleshim ne të gjithë po të ishte ai fëmi i një qeveritari, i një parlamentari, i një polici, i një prokurori?! Po të ishte fëmi shqiptar? E lere, po te ishte serb, që do të kumbonin këmbanat e të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Është një fëmi rom. Ashtu siç ishte një rome e shkretë që u rrah mizorisht në publik në Lipjan dhe në Ferizaj.
Nuk mund të arsyetohet neglizhenca e policisë, e prokurorisë dhe e zyrtarëve të tjerë që nuk kanë ndërmarrë masa për ta mbrojtur një qytetar të pambrojtur të këtij vendi. Edhe ata janë përgjegjës.
Unë i përgëzoj mediat për qasjen e tyre profesionale në trajtimin e këtij rasti, për përpjekjet e tyre për ta zbardhur vdekjen e këtij fëmiu, sepse po të mos ishin mediat, sa për të tjerët, për ti ikur përgjegjësisë ishte konstatuar, vetëm, se një fëmi u gjet i vdekur te do shkallë në rrethana të panjohura. Dhe pikë.
Por ku jemi ne, ku janë institucionet që po heshtin, ku është shoqëria civile?
Askund!
Duhet të na vret ndërgjegja. Shteti dhe shoqëria që lejon dhe sillet në mënyrë indiferente ndaj përdhunimit dhe vrasjes së fëmijëve të vet nuk i ka punët mirë! IM

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat