Zbulohen detaje të reja, këta janë personat që dhanë nënshkrimin që Ahmet Krasniqi të bëhej ministër i mbrojtjes - Bota Sot
Zbulohen detaje të reja, këta janë personat që dhanë nënshkrimin që Ahmet Krasniqi të bëhej ministër i mbrojtjes

Aktuale

Zbulohen detaje të reja, këta janë personat që dhanë nënshkrimin që Ahmet Krasniqi të bëhej ministër i mbrojtjes

Nga: G.B Më: 19 korrik 2019 Në ora: 10:18
Ahmet Krasniq

Kolonel Tahir Zemaj ka rrëfyer për kohën kur Ahmet Krasniqi u bë ministër i mbrojtjes.

Në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, thuhet se,kishte eprorë ushtarakë që kishin qenë të angazhuar në të gjitha shtetet dhe ata që nënshkruan që Krasniqi të bëhet ministër i mbrojtjes ishin, Sali Veseli, Agim Mehmeti, Ismet Ibishi, Kemal Shaqiri, ku të gjithë bashkëpunuan mes vete, shkruan Bota sot.

"Eprorët dhe ekspertët tanë ushtarakë kanë qenë gjatë gjithë kohës të angazhuar, në të gjitha shtetet. Në Gjermani punonte Sali Veseli, në Zvicër Agim Mehmeti, në Slloveni punonte Ismet Ibishi, Kemal Shaqiri punonte në Kroaci etj. Këta njerëz kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me nënshkrimin e tyre ka ardhur deri tek emërimi i Ahmet Krasniqit, si koordinator i të gjithë ushtarakëve brenda dhe jashtë Kosovës. Dokumenti ku ndodhet nënshkrimi i tyre gjendet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu është formuar Këshilli Drejtues i ushtarakëve për t'iu përgjigjur situatës kanosëse në trojet tona. Personalisht kam qenë i informuar për aktivitetin dhe angazhimin e grupeve të para të luftëtarëve në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bërthamat e para të luftëtarëve ndër të cilët kanë qenë Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti etj. Kanë qenë operacionet e tyre ilegale, si vendosja e eksplozivëve, vrasjet e policëve etj, të vetmet veprime luftarake në Kosovë gjatë asaj kohe, shkruan në libër, të ketë thënë Zemaj.

Më tej, ai ka thënë se nënshkrimin për këtë e ka dhënë edhe Bujar Bukoshi, për çka më vonë kjo është mohuar nga Sali Veseli, por që dokumenti ekziston në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovë dhe kushdo mund ta verifikojë.

“Kur është dhënë nënshkrimi për krijimin e këtij Këshilli të Ushtarakëve, aty është pranuar që Ahmet Krasniqi të jetë koordinues për gjithë diasporën si dhe për brenda Kosovës, koordinues për formimin e Shtabit Suprem dhe Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovës. Kjo gjë është bërë në konsultime edhe me zotni Bujar Bukoshin, kryeministër i Qeverisë së republikës së Kosovës, i cili ka pranuar sygjerimin tonë dhe ka nënshkruar emërimin e Ahmet Krasniqit. Dikush më vonë, dhe pikërisht Sali Veseli, e ka mohuar faktin që kryeministri ka firmosur emërimin e Ahmet Krasniqit. Ai dokument, siç thashë ekziston në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes së republikës së Kosovës, dhe jo veç Veseli, por kushdo mund ta verifikojë”, ka thënë ai.

Më pas ai tregon se pas vrasjes së legjendës së trimërisë shqiptare, Adem Jasharit, ishte takuar me Sali Çekun ku dhe kishte marrë informacionin e plotë për të.

“Pas vrasjes së legjendës së trimërisë shqiptare Adem Jasharit, Sali Çeku më lajmëron dhe më propozon që urgjentisht të takohemi në shtëpinë e tij në Shtutgart që të më fliste për kontaktet e tij me Adem Jasharin. Unë e kam njohur nëpërmjet tij thjesht si luftëtar dhe atdhetar, nuk kam pasur dije tjetër, as për aftësitë e tij ushtarake, as politike. Aty kam marrë informacion më të plotë rreth tij. Gjatë gjithë natës nuk kemi fjetur në përpjekje për të gjetur një mundësi për të vepruar”, vazhdon tutje rrëfimin.

Tutje, tregon për takimin me Ahmet Krasniqin dhe Agim Mehmeti, ku kanë diskutuar për t’iu përgjigjur detyrave ushtarake dhe për një organizim profesional dhe institucional të luftës së armatosur kundër pushtuesit.

“Atë natë kemi marrë kontakt me Zotni Ahmet Krasniqin dhe Agim Mehmetin, që gjendeshin në Zvicër, pasi ato ditë qe formuar grupi koordinues dhe po hidhte themelet Ministria e Mbrojtjes së Kosovës. Të nesërmen kemi udhëtuar për në Zvicër dhe atje u takuam me zotin Krasniqi. Prezentë kanë qenë Agim Mehmeti, Hilmi Nebihu dhe ushtarakë të tjerë. Pas shumë vitesh ky ishte takimi i parë me zotni Krasniqi. Kemi shkëmbyer mesazhe të shkurtra miqësore dhe i jemi vënë punës. Aty janë marrë vendimet e para për t’iu përgjigjur detyrave ushtarake dhe për një organizim profesional dhe institucional të luftës së armatosur kundër pushtuesit. Pastaj me zotni Çeku jemi kthyer në Gjermani dhe kemi filluar përgatitjet për luftë”, është shprehur Zemaj.

Më pas tregon se kolonel Krasniqi ishte nisur për Oslo për t’u takuar me Adem Demaçin, ku në ato bisedime është rënë dakord për këto gjëra.

“- Së pari, për formimin e shtabit të përbashkët me qendër në Tiranë. - Së dyti, do të njiheshin të gjitha njësitë që vepronin në Kosovë, emërtimi i tyre i përbashkët – UÇK dhe stema e saj. - Së treti, të gradoheshin dhe të plotsoheshin me oficerë profesionistë ato njësi, për të krijuar kështu hierarkinë ushtarake dhe institucionale. - Së katërti, do të ekzistonin të dyja fondet, ai i Emërgjencës që menazhohej nga Qeveria dhe ai që thirrej “Vendlindja Thërret”. - Së pesti çdo informatë apo komunikatë shtypi do të duhej të kalonte përmes Shtabit në Tiranë. - Së gjashti, të sigurohej komandimi i të gjitha njësive nga oficerë profesionistë”, ka deklaruar ai.

Kolonel Ahmet Krasniqi, “i armatosur” me këtë marrëveshje është nisur për në Tiranë për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për vendosjen e Shtabit Suprem. Për të gjitha këto – thotë Zemaj, - jam informuar nga Tirana, dhe kol. Krasniqi më ka urdhëruar që të nisem menjëherë për Tiranë bashkë me Sali Çekun dhe disa eprorë të tjerë. /BS/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...