Dorëheqja e Ramush Haradinajt në mediat ndërkombëtare

Aktuale

Dorëheqja e Ramush Haradinajt në mediat ndërkombëtare

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 19:12
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot dha dorëheqje, pas ftesës për t’u marrë në pyetje nga gjykata në Hagë, e cila hetoi krimet kundër serbëve gjatë dhe pas luftës së vitit 1998-99.

The Associated Press, shkruan se Ramush Haradinaj deklaroi se kishte rënë dakord të intervistohej në Dhomën e Posaçme të Kosovës dhe Prokurorinë Speciale javën e ardhshme dhe se nuk donte të paraqitej atje si kryeministër.

Ndërkohë që The New York Times, shtoi se Haradinaj, i cili kishte marrë postin e kryeministrit në shtator 2017, sot tha se “do të respektoj kërkesën ligjore, do të shkoj atje, do ta mbroj veten si një luftëtar i vendit tim”.

Reuters ka kontaktuar me zëdhënësin e Gjykatës Speciale për Kosovë, Christopher Bennet, i cili ka deklaruar se nuk mund të flasë për rastin në fjalë.

“Rregulli 30 thotë se unë e kam obligim të mbrojë privatësinë e çdo individi. Nuk mund të konfirmoj asgjë”.

BBC raporton se Haradinaj është liruar dy herë nga akuzat për krime lufte në Hagë, së pari në vitin 2008 dhe më pas në vitin 2012.

Haradinaj kishte mohuar vazhdimisht akuzat dhe kishte dhënë dorëheqje si kryeministër pas vetëm 100 ditësh, në vitin 2005 për t’u përballur me akuzat, ndërkohë që në gjykimin e fundit në vitin 2012, ishte liruar sepse nuk kishte prova për të mbështetur pretendimet.

Deutsche Welle ka shkruar se ky është udhëtimi i tretë i Ramush Haradinajt për në Hagë.

Ai gjithashtu njoftoi se taksa e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës në nëntor të 2018-ës do të mbetet, shkruan European Western Balkans.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat