Mustafa: Nga sot vendi është në zgjedhje

Aktuale

Mustafa: Nga sot vendi është në zgjedhje

Më: 19 korrik 2019 Në ora: 21:02
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media, ka deklaruar se vendi do të shkojë në zgjedhje dhe se partia e tij nuk pranon qeveri teknike.

Mustafa, ka shprehur qëndrimin pas mbledhjes së Kryësisë së LDK-së, mbajtur pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Vendi është pa Qeveri. LDK kërkon nga Presidenti që të nisë konsultimet me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve”, ka thënë Mustafa.

Ai është shprehur se LDK e ka thënë se kjo qeveri nuk ka legjitimitet. “Këto zgjedhje do t’u mundësojnë qytetarëve që t’i japin legjitimitetin qeverisë”, ka theksuar Mustafa.

Mustafa gjithashtu shtoi se partia e tij me keqardhje e ka pranuar lajmin për ftesën që i është bërë kryeministrit të Kosovës për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Me keqardhje e kemi pranuar lajmin. Askush nga ne nuk ka qenë i informuar për ftesën që i është bërë z.Haradinaj për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë”, tha Mustafa.

Ai tha se LDK-ja e vlerëson faktin që Haradinaj ka shkuar “i zhveshur” nga pozita e kryeministrit të vendit.

“Ne e vlerësojmë vendimin e tij që të shkojë “i zhveshur” nga posti që ka mbajtur deri më sot”, tha Isa Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat