Kastrati: Dallimet tona politike nuk duhet të na ndajnë apo gëzojnë për veprimet e Gjykatës Speciale

Aktuale

Kastrati: Dallimet tona politike nuk duhet të na ndajnë apo gëzojnë për veprimet e Gjykatës Speciale

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 13:55
Qëndron Kastrati

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një shkrimi të postuar në faqen e tij zyrtare Facebook ka komentuar ftesën e Gjykatës Speciale për Haradinajn, teksa ka thënë se luftën e UÇK-së nuk do të mund ta njollosë askush.

Ai tutje ka shtuar se kjo luftë ka qenë e drejtë dhe se dallimet politike nuk duhet të na ndajnë apo gëzojnë për veprimet e Specjales dhe se s’ka rëndësi se kush është sot në pushtet a kush fiton nesër, vlerat e përbashkëta nuk mund të cenohen nga askush.

Ky është postimi i tij i plotë:

Luftën çlirimtare të UÇK-së kundër një regjimi shtypës nuk do të mund ta njollosë dot asnjë proces politik.

Destabilizimi politik e shoqëror që sulmon luftën e popullit tonë për liri përmes, ndër të tjera, thirrjes nga Gjykata Speciale për Ramush Haradinajn dhe të tjerë, nuk i shërben as ballafaqimit me të kaluarën e as drejtësisë tranzicionale. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Askush nuk ka të drejtë as ta përdorë e as ta sulmojë atë. Ajo ka qenë e shenjtë dhe e tillë do të mbetet.

Dallimet tona politike nuk duhet të na ndajnë apo gëzojnë për veprimet e Gjykatës Speciale. Shoqëria jonë e përfaqësuar edhe nëpërmjet subjekteve politike duhet njëherë e përgjithmonë të ketë një agjendë të përbashkët shtetërore dhe shoqërore të cilën duhet ta ndjekim të gjithë, pavarësisht kush ka pushtet e përgjegjësi. Nuk ka rëndësi kush është sot në pushtet, apo kush fiton nesër. Vlerat dhe e vërteta jonë e përbashkët nuk mund të cenohen nga askush. Qëndrimet refleksive janë mendjengushtësi e llojit prapakthyes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat