AAK-ja ia kthen akuzat PDK-së: Keni dalë prej loje, merruni me frizerka

Aktuale

AAK-ja ia kthen akuzat PDK-së: Keni dalë prej loje, merruni me frizerka

Më: 20 korrik 2019 Në ora: 15:46
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Zyrtarë të AAK’së iu janë përgjigjur akuzave të anëtarit të Kryesisë së PDK’së, Bujar Cakollit, i cili lëshoi akuza në drejtim të Kryeministrit në dorëheqje, duke thënë se Haradinaj ka ikur nga përgjegjësia politike.

Përmes një postimi në Facebook, Fikneta Bejta nga kjo parti i ka sugjeruar Cakollit që në vend të rezervave shtetërore të flas për rrjedhat e inovacioneve në sallonet e bukurisë.

Ka thënë se e mira e gjithë kësaj është që PDK në fund do të dal nga loja.

“Zëvendësministri i Besim Beqajt, Cakolli paska fol për dorëheqjen e Kryeministrit Haradinaj, ai e paska akuzuar Kryeministrin për harxhimin e rezervës shtetrore. Cakolli mirë kishte me qenë me na tregu diqka për rrjedhat e inovacioneve tek sallonet e bukurisë. E mira e gjithë kësaj është që PDK pêrfundimisht ka me dal prej loje”, ka shkruar Bejta.

Ndryshe, Cakolli tha se Shefi i AAK’së i ka harxhuar të gjitha rezervat shetërore dhe pastaj ka vendisur të ikë.

Reagimi i Cakollit që është edhe Zëvendësministër i Inovacionit erdhi pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje.

“Dorën në zemër, duhet me qenë shumë idiot për me ju gëzu lajmit për shkuarjen e Kryeministrit në Hagë.Ama me fol drejt ka del shpirti, me i harxhu komplet rezervat shtetërore në korrik, e me lëshu qeverinë, nuk është tjetër veq ikje nga përgjegjësia politike!”, ka shkruar Cakolli, në Fb.

Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat