Drejt zgjedhjeve të parakohshme

Aktuale

Drejt zgjedhjeve të parakohshme

Më: 21 korrik 2019 Në ora: 16:31
Ilustrim

Institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim për qartësimin e gjendjes pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës.

Dy ditë pasi ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, Ramush Haradinaj ka vazhduar me disa aktivitete të tij, por nuk ka folur për zhvillimet politike.

Të dielën, Haradinaj bashkë me zyrtarë të Qeverisë dhe të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka marrë pjesë në një akademi përkujtimore në Komunën e Rahovecit.

Haradinaj, më parë ka njoftuar se nga fillimi i javës së ardhshme do t’i informojë edhe zyrtarisht krerët e institucioneve për vendimin e tij për dorëheqje.

Partitë politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës kanë deklaruar se pas dorëheqjes së Haradinajt janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të shtunën se zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili është thirrur në Hagë në Prokurorinë e Posaçme për Kosovën.

"Tashmë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje, kurdo që ato të caktohen. Ajo që mund të diskutohet tanimë është vetëm koha kur ato do të mbahen”, ka deklaruar Veseli.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga presidenti i Kosovës që t’i nis konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, tha  se nuk duhet të humbet kohë dhe se duhet të nisin konsultimet sa më parë për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

"Presidenti i vendit duhet t'i thërras sa më shpejt partitë politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve. Presidenti mund ta shfrytëzojë një periudhë kohore sa është e nevojshme dhe e përcaktuar për konsultime, përndryshe duhet të veprohet shumë shpejt", tha Veliu.

Veliu ka perjashtuar çdo mundësi tjetër veç zgjedhjeve të reja.

"Unë tash po flas për qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ne kërkojmë që të caktohet data e zgjedhjeve përndryshe nuk jemi të gatshëm që të hymë në kurrfarë qeverie. Tash në demokraci vendimtar janë edhe numrat. Ata që duan të bëjnë qeveri nëse mund të arrijnë ndonjë marrëveshje më këdo qoftë është punë tjetër, por sa i takon LDK-së, ky është qëndrimi jonë", tha Veliu.

Edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media i ka bërë thirrje presidentit Thaçi që të mos e zvarris proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Ai ka thënë se Kosova nuk ka qeveri dhe se Kosova duhet të bëhet me qeveri të re.

Partitë politike në Kosovë tashmë janë në pritje të vendimit që mund të marrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

Analisti politik Imer Mushkolaj, tha se krijimi i një qeverie të re që do të vazhdonte gjysmën e mandatit të Qeverisë Haradinaj, është i pamundur.

"Marrë parasysh situatën në skenën politike, unë e shoh një gjë të tillë të pamundur për shkak se nuk e besoj se as LDK e as Vetëvendosje do t'i bashkohen pjesës së mbetur të PAN-it, përjashtuar AAK-në për të krijuar qeveri të re. Më ketë logjikë, presidentit të vendit i mbetet vetëm që të konsumojë të gjitha procedurat të cilat i parasheh ligji dhe kushtetua në mënyrë që t'i shpallë zgjedhjet reja".

"Ndërkaq partive politike ju mbetet që të përgatiten për zgjedhje duke pas parasysh që dorëheqja e Haradinajt ishte e papritur dhe nuk është se edhe partitë i ka gjetur në komoditetin më të madh për të marrë pjesë në zgjedhje", tha Mushkolaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje dhe njoftimin e ka bërë publik në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës të premten.

Arsyeja e dorëheqjes, siç ka thënë Haradinaj, është sepse ka pranuar një ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Haradinaj, në konferencën e tij pas dorëheqjes, theksoi se nuk mund të lejojë që të intervistohej nga Dhomat e Posaçme dhe të paraqitet si kryeministër dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqje.

Dorëheqja e Ramush Haradinaj i ka dhënë fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Koalicioni PAN në zgjedhje e vitit 2017, kishte garuar me një grupim prej rreth 20 partive politike. Por, prej tyre, ulëse në Kuvend siguruan vetëm PDK, AAK dhe Nisma. Ndërkaq, pas zgjedhjeve, këtij koalicioni iu bashkua AKR-ja e Behgjet Pacollit, Lista Serbe, si dhe partitë e komuniteteve tjera pakicë./Rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat