Haradinaj për datëlindjen e Bob Dole: Paçim miqësi të përjetshme me Amerikën

Aktuale

Haradinaj për datëlindjen e Bob Dole: Paçim miqësi të përjetshme me Amerikën

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 15:48
Ramush Haradinaj

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, uroi sot që miqësia e Kosovës me Amerikën të jetë e përjetshme.

Këtë deklaratë Haradinaj e bëri me rastin e shënimit të datëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për senatorin Bob Dole.

Duke folur për kontributin dhe rolin e Dole për popullin e Kosovës, ai tha se vet vizita e këtij të fundit në vitin 1999, ishte kthesë për popullin e Kosovës në ndërprerjen e tragjedisë dhe kthimin e jetës në vend.

Haradinaj: Urojmë që miqësia jonë Kosovë – Amerikë të jetë e përjetshme

“Ne jemi të gëzuar që populli i Kosovës i drejtohet me një nderim dhe në shenjë falënderimi për kontributin jetësor senatorit Bob Dole. Falënderojmë presidentin Trump për kujdesin për Kosovën dhe njëkohësisht urojmë që miqësia jonë Kosovë – Amerikë të jetë e përjetshme”, tha Haradinaj.

Ai  u shpreh se duke nderuar Amerikën, populli i Kosovës nderon dhe veten.

Haradinaj: Vizita e Bob Dole ishte kthesë për popullin e Kosovës në vitin 1999

“Përderisa senatori Bob Dole ishte në Grand duke bashkëbiseduar me udhëheqësin e atëhershëm të shqiptarëve, presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova, regjimi i Milloshviqit kishte filluar një keqtrajtim të qytetarëve jashtë. Kjo vizitë ishte kthesë, kjo vizitë ishte me të vërtetë një nisje për së mbari e Kosovës, dhe kështu u vazhdua me përkrahjen e viti 99-të, me ndërprerjen e tragjedisë dhe me kthimin e jetës në Kosovë. Kështu u vazhdua në vazhdimësi dhe sot populli i Kosovës, të gjithë ne që jemi bashkë, e nderojmë veten, e nderojmë këtë miqësi”, tha ai.

E ish-senatori Bob Dole, përmes një video-mesazh për qytetarët e Kosovës, ka shprehur falënderimet e tij për ndërtimin e bustit, teksa u shpreh se ndjehet krenar për popullin e Kosovës.

Dole: Jam shumë krenar për popullin e Kosovës

“Dua të falënderoj miqtë e mi në Kosovë që më nderojnë me ngritjen e bustit në emrin tim. Faleminderit shumë. Jam shumë krenar për popullin e Kosovës me të cilët kemi punuar për rreth 25 vjet”, tha Dole.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett e quajti frymëzuese iniciativën për ndërtimin e bustit të ish-senatorit Bob Dole, në Kosovë.

Si një person që i ka prirë gjithmonë kauzës për liri, Kosnett tha se nuk kishte se si Dole të mos jepte kontributin e tij edhe në Kosovë.

Ai uroi që monumenti i Bob Dole të jetë inspirim për të vazhduar përpjekjet në ndërtimin e një të ardhme më të mirë për fëmijët e Kosovës, dhe për një Kosovë që është në paqe me fqinjët e saj.

Konsnett: Monumenti i Bob Dole le të shërbejë për një Kosovë me mundësi për të gjithë

“Qeveritë tona nuk do të pajtohen ndoshta gjithmonë rreth politikave, edhe përderisa partneriteteti i SHBA-së me Kosovën piqet, atëherë do të duhet një punë e madhe që t’i mbajmë në një vijë pozicionet tona, por në të njëjtën kohë, e kemi parë se miqësia e qëndrueshme ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Amerikës nuk varet nga ndonjë parti e posaçme politike, apo nga ndonjë udhëheqës individual. Është më se e përshtatshme që sot jemi në këndin e rrugëve Bob Dole dhe bulevardin Bill Clinton, rrugë këto të emërtuara për nder të dy burrave, nga dy parti të ndryshme politike që për një  kohë kanë qenë rivalë politik... Prandaj, sot le të përqendrohemi në historinë dhe vlerat e përbashkëta që i kanë bërë bashkë popullin e Kosovës dhe atë të Amerikës. Dhe ky monument i Bob Dole le të na frymëzojë që të vazhdojmë përpjekjet për të ndërtuar për fëmijët e Kosovës një të ardhme dhe nj ë atdhe që ata e meritojnë, një Kosovë që do të jetë në paqe me fqinjtë e saj, është shtet me drejtësi të barabartë dhe me mundësi për të gjithë”, tha Kosnett.

Drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka u shpreh se sot po konfirmohet përjetësimi i kujtesës për grollin e senatorit Bob Dole në Kosovë.

Zeka: Busti i Bob Dole të shndërrohet në simbol të përpjekjeve për rritje ekonomike

“Nuk ka ditë më të mirë sesa kjo e sotmja që ne të konfirmojmë përjetësimin e kujtesës për gjithë rolin dhe kontributin që senatori Bob Dole ka pasur në Kosovë... Figura e senatorit Bob Dole u shndërrua në një simbol të shpresës për kosovarët në vitet e 90-ta. Sot besoj që është mëse e nevojshme që busti i tij, kudo që të inaugurohet, para 30 vjetorit të vizitës së tij, të shndërrohet në simbol të përpjekjeve tona të përbashkëta për rritje ekonomike, prosperitet dhe tërheqje të investimeve të huaja”, u shpreh ai.

Ndërkaq, në fillim të ceremonisë u lexua një letërkëmbim mes kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj dhe ish-senatorit Bob Dole, ku ky i fundit kishte uruar të ketë shëndet në mënyrë që të vizitoi edhe njëherë Kosovën

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat