Frashër Krasniqi: PSD garon e vetme në zgjedhje, PDK të shkojë në opozitë

Aktuale

Frashër Krasniqi: PSD garon e vetme në zgjedhje, PDK të shkojë në opozitë

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 19:05
Frashër Krasniqi

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që e ka marrë nga Gjykata Speciale, ka sjellë një situatë të re politike në vend.

Cili është pozicioni i Partisë Socialdemokrate – të shkohet në zgjedhje apo me ndonjë variant tjetër?

“PSD ka kohë që e ka konsideruar që Kosova ka nevojë për ndryshim”.

“Meqë jemi këtu ku jemi, tash Kosova e ka rastin të shkojë në zgjedhje të reja ku duhet të krijohen institucionet dhe një Qeveri që sjellë ndryshime në Kosovë”.

“Kosova ka shumë kohë që ka pasë nevojë për një zgjidhje të tillë, tashmë duhet të vazhdojmë me zgjedhje”, ka deklaruar Frashër Krasniqi në Info Magazine të Klan Kosovës.

Por, a është herët për PSD-në apo kjo parti është konsoliduar për t’i bërë ballë sfidave të tilla si zgjedhjet e befasishme?

“Tash e një vit, PSD-ja ka punuar në mënyrë shumë intensive në terren për formimin e degëve dhe nëndegëve në gjithë territorin e Kosovës”.

“Kemi pasë rezultat të jashtëzakonshëm në shtrirje që mendoj se krahasohet me shumicën e partive të mëdha në Kosovë”

“Pas vendimit të Ramush Haradinajt për dorëheqje, kanë filluar të vijnë shumë vullnetare të rinj që duan të angazhohen dhe të kontribuojnë në fushatë”.

Krasniqi ka thënë se Partia Socialdemokrate dëshiron që të garojë e vetme në zgjedhjet që mund të mbahen së shpejti në Kosovë.

“Jemi të gatshëm dhe jemi të përgatitur në terren. Të gjitha elementet po tregojnë që për PSD-në nuk janë fare problem zgjedhjet – do të garojmë si parti e vetme”.

“Ne jemi të përcaktuar që të kandidojmë vetëm , por nuk duam as të hapim dhe as të mbyllim dyert për askënd”.

Deputeti i PSD-së nuk ka treguar drejtpërdrejtë se me cilat parti ka vija të kuqe PSD-ja, por ka thënë se është koha që PDK-ja të jetë në opozitë.

“Mendoj që Kosova ka nevojë për ndryshime. Subjektet që kanë qenë pjesë, sidomos e kam fjalën për PDK-në duhet të shkojë në opozitë”.

“Në terme konkrete kjo do të thotë që Kosova ka nevojë për ndryshim të qeverisjes”.

“PSD-ja mendon që PDK-ja duhet të shkojë në opozitë. Ky është qëndrim i bazuar mbi faktin që është një prej subjekteve përgjegjëse për gjendjen në të cilën ka ardhur Kosova”.

Ai nuk ka dashur të komentojë as për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, që edhe vet para ndarjes ishte pjesë e kësaj partie.

“Nuk është çështja e koalicioneve një çështje me të cilën po merret PSD-ja – është organizimi dhe mobilizimi për fushatë zgjedhore”.

“Jemi duke u përgatitur që të garojmë vetëm dhe natyrisht që ende nuk ka ndonjë diskutim për koalicionet e ardhshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat