Bytyqi: Jemi duke analizuar vendimin e KShC-së, universitetet do t’i mbështesim

Aktuale

Bytyqi: Jemi duke analizuar vendimin e KShC-së, universitetet do t’i mbështesim

Më: 23 korrik 2019 Në ora: 10:01
Bytyqi

Këshilli Shtetëror për Cilësi (KShC), ditë më parë mori vendim që të mos i akreditojë tri universitete publike.

Ky vendim nuk u mirëprit nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, por as nga Ministria e Arsimit.

Ministri Shyqiri Bytyqi, thotë se javën e kaluar kanë pranuar një raport nga ekspertë të jashtëm mbi të gjeturat në universitetet publike që nuk u akredituan, të cilin janë duke e analizuar brenda Kabinetit, por edhe Ministrisë.

Kreu i Ministrisë thotë pas kësaj analize do të marrin hapat e duhur.

“Ne si ministri e kemi marrë javën e kaluar raportin dhe vlerësimet që janë bërë nga ekspertët e jashtëm. Jemi duke i analizuar edhe si Kabinet edhe si Ministri. Në asnjë moment jo për të ndërhyrë politikisht, sepse nuk kemi të drejtë, por për të parë se ku janë ato të meta që ekzistojnë në këto universitete, të gjeturat që kanë dalur nga raporti, në mënyrë që të marrim masa dhe të bisedojmë me menaxhmentin, por edhe me qeverinë nëse ka nevojë të kemi përkrahje shtesë që këto të meta që ekzistojnë në këto institucione të eliminohen”, thotë ai në një intervistë për EO.

Megjithatë ministri Bytyqi thotë se KShC-ja është agjencion i pavarur dhe se janë të obliguar të respektojnë vendimet e saj. Thotë se përgjegjësia për mosakreditim bie mbi menaxhmentet e universiteteve gjegjëse, ndërsa thotë se punë e Ministrisë dhe Qeverisë është t’u ofrohet ndihmë, nëse ato kërkojnë një gjë të tillë.

“KShC-ja është agjencion i pavarur dhe merr vendime të pavarura dhe ne jemi të obliguar që këto vendime t’i respektojmë. Megjithatë ajo çka duhet të bëjmë tani, universitetet edhe Ministria patjetër, por edhe Qeveria e Kosovës duhet t’ ndjekin rrugët e tyre ligjore për të parë që kanë qenë vendime të drejta”.

“Por, duhet të kemi një lloj kombinimi, secili ta kryen obligimin e vet, rolin kryesor e kanë menaxhmentet e universiteteve që t’i eliminojnë të gjitha të gjeturat, ne t’i përkrahim nëse është e nevojshme, ndërsa KShC-ja merr vendime të veta të pavarura. Me i përkrahë financiarisht apo në çfarëdo forme nëse është e nevojshme për t’i plotësuar këto kushte apo këto kritere të cilat kanë qenë të paplotësuar sipas vlerësimeve që kanë bërë ekspertët”, thotë ai.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë(KShC) në mbledhjen e 74-të vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020.

Me këto vendime, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Bordi i KShC-së gjithashtu vendosi që t’ia tërheq akreditimin institucional për vitin akademik 2019-2020 Kolegjit Fama, Kolegjit Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat