Bajrami: LDK-ja në zgjedhje për fitore, PAN-i në opozitë për dy mandate

Aktuale

Bajrami: LDK-ja në zgjedhje për fitore, PAN-i në opozitë për dy mandate

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 13:47
Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-ministrja Hykmete Bajrami, thotë se qeveria e ardhshme duhet të udhëhiqet nga LDK-ja, ndërkohë për PDK-në, AAK-në dhe Nismën thotë se duhet të shkojnë në opozitë të paktën për dy mandate.

Teksa ka folur për dorëheqjen e Haradinajt, ajo thotë se ai vetë e ka pranuar që nuk është dorëhequr vetëm shkaku i thirrjes nga Specialja, por edhe për faktin se e kishte “lakun në fyt”, nga partnerët e koalicionit.

Bajrami thotë se nëse Haradinaj nuk do të jepte dorëheqje, mocioni i LDK-së në shtator do të kalonte pa asnjë problem.

Ndër të tjera ajo thotë se duhen zgjedhje të reja, për të “shpëtuar Kosova nga PAN-i”.

Shkrimi i plotë i Bajramit:

LDK në zgjedhje për fitore, PAN të shkojë dy mandate në opozitë

Qeveria e PAN-it e ndërtuar me shantazhe, kërcënime e kushtëzime edhe ashtu do të rrëzohej në shtator. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje dhe asnjë parti nuk duhet t’i humbë kohë vendit, duke bërë kalkulime për një qeveri të re të palegjitimitet.

Kryeministri në dorëheqje e pranoi se nuk dha dorëheqje vetëm pse i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale. Tha se i ishte vënë laku në fyt nga partnerët e koalicionit që e kishin bërë Kryetar të Qeverisë.

Pra, kjo Qeveri do të shkonte edhe sikur Haradinaj të mos jepte dorëheqje sepse mocioni i LDK-së do të votohej në shtator dhe s’ka kush ta ndalte.

Prapë, shprehim keqardhje pse Qeveria u rrëzua në këtë formë. Në këtë situatë duhet të shkohet në zgjedhje të shpejta për ta shpëtuar Kosovën nga PAN-i.

Dhe, LDK-ja do të dalë fituese e zgjedhjeve. Po e përsëris edhe një herë se edhe më 3 gusht do të ketë festë me ekipin fitues të zgjedhjeve të reja. Do të ndërtojë koalicione paszgjedhore me partitë që aktualisht janë në opozitë. Mund të ketë edhe bashkëpunim para zgjedhjeve por secili duhet të pranojë se Kryeministri është i LDK-së, i partisë më të madhe, me përkrahjen më të madhe në popull, me numrin më të madh të deputetëve dhe me numrin më të madh të Komunave që i udhëheq. Thirrjet e disa partive për koalicion parazgjedhor do të ishin të sinqerta vetëm nëse do të pranoheshin kushtet e LDK-së. Pra, secila parti që dëshiron të bëjë koalicion me LDK-në si partinë më të madhe, duhet të pranojë kushtet e LDK-së dhe të ecim përpara drejt një Qeverie të re pas zgjedhjeve nacionale.

Në anën tjetër, PDK, AAK, NISMA dhe AKR duhet të shkojnë bashkërisht në opozitë dhe të marrin përgjegjësinë për dëmin që ia kanë shkaktuar Kosovës në këto dy vitet e fundit ku gjithçka ka degraduar në qeverisje.

Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli duhet të japin përgjegjësi pse sot Kosova vazhdon të mos ketë asnjë përmirësim në arsim, ekonomi, diplomaci, drejtësi dhe fusha të tjera.

Ramush Haradinaj duhet të japë përgjegjësi pse s’ka sot liberalizim të vizave dhe pse s’e ktheu Çakorrin në Kosovë.

Kadri Veseli bashkë me Ramush Haradinajn duhet të japin përgjegjësi pse qeverisën me njerëz me aktakuza për krim e korrupsion. Ndërsa, PDK duke luajtur lojë hoqi nga Qeveria ministrat me aktakuzë vetëm dy javë para se të rrëzohej kjo Qeveri.

Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në njërën anë dhe Hashim Thaçi në anën tjetër duhet të japin përgjegjësi edhe pse nxitën dhe luajtën lojëra pro dhe kundër zhbërjes së Kosovës duke vënë në pazar kufijtë e Kosovës.

Thaçi, Veseli, Haradinaj, Limaj e Pacolli bashkë edhe me Shpend Ahmetin duhet të japim përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës duke krijuar grup antikushtetues për të biseduar me Serbinë.

PAN-i në opozitë se paku për dy mandate sepse ky vend ka nevojë për pastrim; ka nevojë për pavarësinë e organeve të drejtësisë; ka nevojë që të korruptuarit nëpër institucione të përfundojnë në burg.

Institucionet janë mbushë me militantë injorantë. Çka ndodhë tani me kontratat mbi vepër, janë me qindra në të gjitha institucionet. Tani institucionet janë në rrezik sepse PAN-i i ka ditët e fundit, janë në gjendje ende me na befasu për të keq sepse ketë e kanë bërë në baza ditore që gati dy vite.

Me ketë vend duhet me udhëheqë njerëz të pakorrupturar, të pakapaun, të dijshëm dhe me dinjitet. Ka ardhë koha me e hapë një kapitulli të ri për vendin, kapitullin e një shteti normal. Ka ardhë koha ku liderët nuk duhet me i gjyku dhe me i vlerësu se çka bëjnë në një moment të caktuar.

Të nderuar qytetarë,

Pse po na ikin të rinjtë?

Mos harroni kush fali miliona të e taksave tona?

Kush patë nevojë që ne t’i paguajmë 80 zëvendësministra, dhjetëra koordinator edhe qindra këshilltarë?

Ku shkoi rezerva shtetërore?

Kush u punësua nëpër ministri?

Kush u punësua në Telekom, që është në falimentim e sipër?

Kush kërcënoi prokurorë?

Kush deshi të marrë drejtësinë në dorë, për listën e veteranëve, kur rasti është i hapur në Gjykatë?

Si u bënë milionerë, të gjithë këta qeveritarë?

Kush u emërua rektor në Universitetin e Gjakovës?

Kush pothuajse na përjashtoi nga ENQAR ?

Kush kërcënoi Këshillin Shtetëror të Cilësisë?

A na njohu ndonjë shtet në dy vitet e fundit?

A u pranuam në ndonjë organizatë ndërkombëtare?

Si u bë që u hapë tema e kufijve?

Si u humbën dhjetëra mijëra vende pune?

Si u bë që në secilin raport ndërkombëtar shënuam rënie?

A dojmë ne me jetu në një shtet ku udhëheqin njerëz që i kanë bërë të gjitha këto të këqija?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat