Radosavleviq: Nga taksa humbës është buxheti i Serbisë, fitues Ramush Haradinaj

Aktuale

Radosavleviq: Nga taksa humbës është buxheti i Serbisë, fitues Ramush Haradinaj

Më: 24 korrik 2019 Në ora: 14:26
Ramush Haradinaj

Në debatin "Taksa 100 për qind, kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?", kryetari i Asociacionit të afaristëve serbë në Kosovë, Sasha Sekuliq, përveç mungesës së mallrave të cilat janë harxhuar, sektori i tregtisë ka pasur më së shumti probleme, sipas të cilit bëhet fjalë për 1 mijë artikuj ku shumica prej tyre mungojnë.

Problem tjetër sipas Sekuliq është edhe mungesa e produkteve bujqësore.

Ai po ashtu tha se rrethanat e krijuar politike në Kosovë, pamundësojnë edhe më tej heqjen e taksës.

Sekuliq: Sektori i tregtisë ka pasur më së shumti humbje

“Sektori i tregtisë ka pasur më së shumti probleme, thuajse shumica e artikujve që dikur i kishin në marketet e tyre, bëhet fjalë për një mijë artikuj, që shumë artikuj mungojnë. Nga ana tjetër, blerësit kishin problem. Ne kemi menduar se taksa shumë shpejt do të hiqet, por siç shkojnë gjërat tani, ku pasojnë zgjedhjet dhe kjo shtyhet. Pra, unë mendoj që do të ishte në të mirë të të gjithëve dhe konsumatorëve që të gjendet mënyra për heqjen e taksës”, tha Sekuliq.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi, tha se vendimi qeveritar për mallrat serbe është për të ndaluar agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës.

Sipas tij, Kosova ka  përfituar 7 milionë euro nga të hyrat doganore që nga hyrja në fuqi e taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja.

Zëvendësimi i produkteve serbe, sipas Gashit është bërë nga shtetet fqinjë dhe BE.

Gashi ka theksuar se humbës nga taksa janë vetëm bizneset në Serbi. 

Gashi: Buxheti i Kosovës ka përfituar 7 milionë euro nga taksa

“Vendimin, të cilin e ka marrë Qeveria e Kosovës është politik. Nuk ka të bëjë me atë ekonomik. Për mua është vendim politik për të ndalur agresivitetin në fushat e ndryshme ndaj Kosovës. Tash, kush fiton dhe kush humb prej kësaj takse? Buxheti i Kosovës nuk ka humbur asnjë cent, por ka fituar 7 milionë euro nga taksat e doganave pas kësaj takse. Ka qenë një klimë e favorshme sa i përket blerësit dhe produkteve të Kosovës, por që nuk ka qenë ky qëllimi”, tha Gashi.

Ndërsa, Nenad Radosavleviq nga Lidhja për Kosovën, tha se taksa 100 për qind është ‘një marrëzi’, dhe siç tha, me këtë vendim është e pa kuptimtë të pritet njohja nga Serbia.

Sipas tij, humbës janë prodhuesit serbë, tregtarët dhe buxheti i Serbisë, ndërsa fitues është kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Radosavleviq: Humbës janë prodhuesit serbë, fitues Haradinaj

“Kush humb? Ka shumë të tillë që mund të humbin, para së gjithash humbin prodhuesit, tregtarët dhe buxheti i Serbisë për faktin se e kanë humbur tregun. Pastaj humbin serbët që janë mësuar tashmë me produktet që vijnë nga Serbia dhe tash nuk kanë mundësi që t’i sigurojnë këta artikuj. Humbës janë edhe ata që janë banorë të Kosovës, sepse kanë humbur mundësinë që të furnizohen me mall cilësor. Tutje, kanë humbur serbët në veri të Kosovës për shkak të Fondit që nuk është shfrytëzuar më së miri, por ka pasur mundësi që shumë projekte nga këto para ishte dashur bëhen, e që tashmë nuk do të ketë mundësi, sepse ky Fond as që do të ekzistojë më”, tha Radosavleviq.

Kryetari i Shoqatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku, theksoi se taksa 100 për qind për produktet e Serbisë nuk është marrë në bashkëpunim me konsumatorët dhe asnjë herë nuk është thënë nga qeveria se është në dobi të tyre.

Kaçaniku: Taksa nuk është marrë për të mbrojtur konsumatorin

“Kjo masë nuk është marrë në bashkëpunim me qytetarin konsumator dhe kurrë nuk është thënë se është ndërmarrë për të mbrojtur të drejtat, obligimet interesat dhe dinjitetin e qytetarit konsumator që është njëherësh taksapagues, dhe është e pakuptimtë që neve nuk na pyet askush për asgjë”, tha Kaçaniku.

Ndryshe, vendimi 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake është marrë nga Qeveria e Kosovës më 21 nëntor 2018. Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj disa herë ka përsëritur se taksa do të hiqet vetëm atëherë kur Serbia ta njohë Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat