Mërgimtarët vizitojnë Kuvendin, Kurti kërkon t’iu mundësohet të votojnë lirshëm

Aktuale

Mërgimtarët vizitojnë Kuvendin, Kurti kërkon t’iu mundësohet të votojnë lirshëm

Më: 25 korrik 2019 Në ora: 16:46
Pamje nga takimi

Mërgimtarë nga vende të ndryshme të Evropës po vizitojnë këto ditë Kuvendin e Kosovës në kuadër të “Ditëve të diasporës”.

Sot ata patën rastin të takohen me deputetë të Kuvendit të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me ç’rast tha se qeveria e re duhet t’iu mundësojë votën e lirë të gjithë bashkatdhetarëve.

Ai tha se Kosova duhet të jetë mirënjohëse ndaj bashkatdhetarëve të saj, pasi sipas tij, këta të fundit e duan atdheun e tyre pavarësisht gjendjes politike dhe socio-ekonomike që po mbizotëron. 

Kurti: Bashkatdhetarët tanë e mundësuan luftën çlirimtare

“Këta bashkatdhetarë e mundësuan luftën çlirimtare para më shumë se dy dekadave, ndërkaq edhe para luftës, edhe pas luftës po e mirëmbajnë paqen sociale. Ne kemi obligim ndaj tyre, së pari, duke ua mundësuar që të votojnë lirshëm nëpër ambasadat e Republikës të Kosovës, së dyti duke u siguruar arsimtarët më të mirë që ka kombi shqiptar të gjuhës shqipe për fëmijët e tyre dhe së treti, duke siguruar lehtësime tatimore, administrative e bankare për bashkatdhetarët tanë”, tha Kurti.

Ndërsa mërgimtarët që patën mundësinë të takohen me disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, parashtruan disa nga kërkesat e tyre. 

Kamer Fejza nga Gjermania, u shpreh se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet më shumë për lobimin për heqjen e vizave.

Ai nuk ka dashur të komentojë punën e Kuvendit të Kosovës, por tha se rezultatet tregojnë vetë.

Fejza: Qeveria të lobojë për heqjen e vizave

“Qeveria duhet të angazhohet më shumë rreth lobimit në botën e jashtme për heqjen e vizave, sepse ajo është një pengesë shumë e madhe për lëvizje të njerëzve. Po të ishin kushtet më të mira, jam i bindur që këta persona që po largohen dhe po kërkojnë punë në botën e jashtme nuk do të ishin larguar”, u shpreh ai.

E Rrahime Haziri, e cila kishte ardhur në Kuvend për t’u takuar me deputetët, pati edhe një porosi të veçantë.

Haziri: Deputetët të përkushtohen për kombin dhe shtetin 

“Një ndjenjë e paparë, po shpresoj se këta deputetët tanë i përkushtohen më shumë vendit e jo veç familjes të vet, ose veç xhepit të vet. Por, për të bërë diçka më mirë për vendin... Le ta kenë në rend të parë atdheun, kombin, se pa komb e pa shtet edhe pasurinë që e kanë, nuk do t’iu duhet kurrgjë”, tha ajo.

E Sylë Statovci, i cili jeton në Zvicër, tha se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së institucioneve të vendit për investime në Kosovë, duke i hapur një lokal vëllait të tij, porse tha se është uzurpuar nga disa policë të Kosovës.

Statovci: I kam hapur një restorant vëllait, por ia ka uzurpuar policia

“Kam investuar një restorant, ia kam hap vëllait tim. Ai është uzurpuar, hiç më pak se nga Policia e Kosovës. Stacioni i piraterisë Qendra në Prishtinë është i involvuar, dhe jo policë të vegjël, por policë të lartë. Dhe, do të thotë Policia e Kosovës është duke na shantazhuar. Nëse merret në nivelin evropian, është një vepër kriminale, policia nuk e pranojnë, i kanë kthyer të hollat, shumicën vetëm për ta heshtur rastin dhe kanë përdorë dhunë ndaj vëllait”, tha ai.

Ndryshe, kjo është dita e dytë që mërgimtarët vizitojnë Kuvendin e Kosovës dhe  ku kanë mundësinë të takohen edhe me deputetë të subjekteve politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat