Haradinaj thirri mbledhje pas dorëheqjes, avokati tregon çfarë roli ka Qeveria e dorëhequr

Aktuale

Haradinaj thirri mbledhje pas dorëheqjes, avokati tregon çfarë roli ka Qeveria e dorëhequr

Nga: A.ZH Më: 25 korrik 2019 Në ora: 17:42
Dastid Pallaska

Avokati Dastid Pallaska, ka reaguar pas thirrjes së mbledhjes së Qeverisë së dorëhequr të Kosovës, për nesër në orën 14.

Pallaska ka thënë se kjo mbledhje ka krijuar një debat të panevojshëm, pasi sipas tij, Kushtetuta nuk e rregullon statusin e Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit, përcjell Bota sot.

Pavarësisht kësaj, siç ka thënë Pallaska, efekti juridik-kushtetues në të dy rastet është i njëjtë, Qeveria bie dhe kërkohet zgjedhja e Qeverisë së re nga Kuvendi.

Në rastin e parë, sipas avokatit, Qeveria në rast se bie për shkak të dorëheqjes së kryeministrit, që nuk provokon zgjedhje të parakohshme në mënyrë automatike, ajo mund të zgjedhet nga Kuvendi aktual.

Ndërsa, në rastin e dytë, pas mocionit, zgjedhja e Qeverisë bëhet nga kuvendi i ri që del nga zgjedhjet e parakoshme, të cilat shkaktohen automatikisht.

Ai ka theksuar se në këtë kohë, roli i Qeverisë është vetëm kujdestar.

Reagimi i plotë i Pallaskës:

Thirrja e mbledhjes nga Qeveria e dorëhequr - që duket se është përgjigje ndaj një përpjekje për të krijuar debat të panevojshëm - kërkon disa sqarime të shkurta kushtetuese dhe praktike.

Kushtetuta nuk e rregullon shprehimisht statusin e Qeverisë pas dorëheqjes së Kryeministrit apo votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Pavarësisht kësaj, efekti juridik-kushtetues në të dy rastet është i njejtë, Qeveria bie dhe kërkohet zgjedhja e Qeverisë së re nga Kuvendi.

I vetmi dallim konsiston në mënyrën e zgjedhjes së Qeverisë së re.

Në rastin e parë, kur Qeveria bie për shkak të dorëheqjes së Kryeministrit që nuk provokon zgjedhje të parakohshme në mënyrë automatike, Qeveria mund të zgjedhet nga Kuvendi aktual.

Ndërsa, në rastin e dytë, të votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit, zgjedhja e Qeverisë bëhet nga Kuvendi i ri që del nga zgjedhjet e parakohshme që shkaktohen automatikisht.

Si pasojë, funksioni i vetëm i Qeverisë së dorëhequr dhe/apo të shkarkuar deri në zgjedhjen e Qeverisë së re mbetet kujdesi formal ndaj institucioneve publike për të parandaluar vakum institucional.

Kjo është më se e kuptueshme duke marrë parasysh vonesat që zakonisht shoqërojnë procesin e zgjedhjes së Qeverisë.

Për këtë arsye dhe në mungesë të dispozitave eksplicite kushtetuese, kjo çështje duhet të analizohet dhe adresohet ekskluzivisht në rrafshin praktik.

Në këtë rrafsh, është më se e qartë se vendi ka nevojë për Qeveri kujdestare, qoftë ajo e dorëhequr apo e shkarkuar, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Thënë këtë, është po aq e qartë se Qeveria kujdestare nuk ka mandat qeverisës dhe - për këtë arsye - gjatë kësaj periudhe kalimtare nuk mund të vazhdoj me zbatimin e planit të vet qeverisës.

Rrjedhimisht, mbledhjet e Qeverisë në përbërje të plotë janë të panevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat