Zv/ministri që tha se ishte VIP: Polici i tha vëllaut tim pse ti katër femra në kerr, e unë asnjë

Aktuale

Zv/ministri që tha se ishte VIP: Polici i tha vëllaut tim pse ti katër femra në kerr, e unë asnjë

Më: 26 korrik 2019 Në ora: 20:39
Zëvendësministri i Arsimit në detyrë, Arbër Geci

Zëvendësministri i Arsimit në detyrë, Arbër Geci, e ka mohuar të ketë kërcënuar një zyrtarë policorë të enjten pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje për vëllanë e tij Ilir Geci, në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Geci ka thënë se i gjithë rasti ka ndodhur pasi ai me vëllanë e tij ishin ndalur me makinë, ndërkaq, gjithnjë sipas tij, polici E. B. ishte afruar tek vetura e tyre duke i thënë Ilir Gecit (vëllait të Arbër Gecit) se “pse ai në veturë ka katër femra e ai asnjë”.

Sipas Gecit, polici me zë të lartë i ka kërkuar që të largohet, gjatë kohës sa ai ishte në trotuar e më pas e ka goditur me dorë në krah.

“Unë jam ndal rastësisht, kam biseduar me vëllanë tim. Ai me njoftoi se polici E.B iu kishte afruar tek makina edhe i kishte thënë që s’është në rregull ai me 4 femra në makinë e polici pa asnjë. Kjo nuk është hera e parë që ky polic sillet keq ndaj Ilir Gecit. Pastaj polici më ka bërtitur që të largohem, derisa unë isha në trotuar edhe më ka goditur me dorë në krah”, thotë ai.

Ai tutje shton se e kishte paralajmëruar policin se këtë sjellje do ta raportojë në organet kompetente.

Geci mohon ta ketë përdorur pozitën që ka për ta kërcënuar, derisa demanton se ai e ka fyer e penguar zyrtarin policor.

“I kam thënë që për këtë sjellje do ta raportoj në organet kompetente. Më ka pyetur si e kam emrin ja kam dhënë një dokument ku i kam treguar se kush jam edhe jam larguar. Në asnjë rast as nuk e kam kërcënuar, as nuk e kam fyer, as nuk e kam penguar. Nuk e kam përmendur për asnjë rast se jam VIP apo diçka tjetër”, thotë ai.

Ai shton se rastin e ka lajmëruar në Polici, derisa shton se prokurori e ka hedhur poshtë menjëherë raportimin e policit duke konstatuar se nuk ka as kërcenim as vepër penale.

Ai thotë se policia e ka proceduar si kundërvajtje dhe jo si kërcënim.

Koha ka parë edhe dënimin dhe aty shkruan se Geci është dënuar për “mosrespektim të urdhrave të ligjshëm (personit zyrtar)”.

Geci ka thënë se nuk e ka pranuar këtë dënim dhe se do ta apelojë në Gjykatë.

“Gjykata mund ta hedh poshtë edhe këtë dënim”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat