ARKEP edhe për 20 vjet ia vazhdon licencën Telekomit dhe IPKO-së

Aktuale

ARKEP edhe për 20 vjet ia vazhdon licencën Telekomit dhe IPKO-së

Më: 30 korrik 2019 Në ora: 16:47
ARKEP edhe për 20 vjet ia vazhdon licencën Telekomit dhe IPKO-së

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) edhe për 20 vjet ia ka vazhduar përdorimin e resurseve frekuencore dy operatorëve telefonik Telekomi dhe IPKO.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, tha se pas rreth 18 muajve analizë ARKEP ka marrë vendim  që edhe për 20 vjetët e ardhshme t’u jepet e drejta për shfrytëzim të resurseve frekuencore operatorëve Telekomi i Kosovës dhe IPKO.

Gashi madje ka treguar edhe kapacitetet frekuencore  që i kanë në shfrytëzim operatorët telefonikë në Kosovë.

Gashi: Resurset frekuencore Telekomi dhe IPKO mund t’i shfrytëzojnë edhe për 20 vjet

“Të dy këta operatorë kanë bërë kërkesë në Rregullatorin e Kosovës në ARKEP për përdorim të resurseve frekuencore që ata kanë në dispozicion për 20 vjetët e ardhshme. ARKEP në analizim të kërkesave të tyre dhe në pajtueshmëri me ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe me rregulloret dhe direktivat e Bashkimit Evropian, ka miratuar kërkesat e këtyre dy operatorëve për vazhdim të përdorimit të resurseve frekuencore për 20 vjetët e ardhshme për Telekomin e Kosovës në kapacitete për 2x10 megaherc në brezin 900 megaherc, si dhe 2 x 25 në brezin 1800 megaherc. Pra, janë këto resurset frekuencore që Telekomi i Kosovës i ka pasur në dispozicion deri më tani, si dhe vazhdimin për përdorimin e resurseve frekuencore për operatorin IPKO në kapacitet prej 2 x 10 megaherc, dhe 2 x 20 megaherc në brezat 900 deri 1800 megaherc”, u shpreh Gashi.

I pari i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se  Telekomi i Kosovës për resurset frekuencore do të paguajë 15.7 milionë euro, kurse IPKO rreth 11.7 milionë euro.

Gashi: Telekomi i Kosovës do të paguajë 15.7 milionë euro, IPKO - rreth 11.7 milionë

“Vlera e resurseve frekuencore që operatorët do të paguajnë për këto kapacitete për Telekomin e Kosovës, e ndarë në 10 këste, është diku rreth 15.7 milionë euro, ndërsa për operatorin IPKO është rreth 11,7 milionë në varësi të resurseve që  kanë në dispozicion”, u shpreh Gashi.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it po ashtu tha se ARKEP do të ndërmarrë edhe hapa tjerë për dhënien e resurseve shtesë me qëllim të zhvillim të sektorit të telekomunikacionit në Kosovë.

Gashi: ARKEP do të ndërmarrë hapa tjerë për dhënien e resurseve shtesë

“Më tutje parashihen të ndërmerren edhe hapat tjerë që janë dhënia e resurseve shtesë që do të mund të shfrytëzojnë kompanitë për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të telekomunikimeve në Kosovë. Mendoj që dhënia e këtyre resurseve frekuencore  në dispozicion për 20 vjetët e ardhshëm në pajtim me standardet dhe praktikat evropiane u mundëson këtyre kompanive një zhvillim të qëndrueshëm dhe u ofron mundësi për parashikim rregullator në aspektin e zhvillimit të teknologjisë së tyre, por në të njëjtën kohë mundësinë e brezave të tjera frekuencore shtesë në të cilat do të mund të zhvillohen teknologjitë më të reja sidomos te teknologjia 5G”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat