Veseli i përgjigjet Thaçit, tregon a ka PAN emër të ri për kryeministër

Aktuale

Veseli i përgjigjet Thaçit, tregon a ka PAN emër të ri për kryeministër

Nga: A.ZH Më: 2 gusht 2019 Në ora: 17:07
Kadri Veseli

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka kërkuar sot nga koalicioni qeverisës PAN, të dorëzojë emrin e mandatarit të ri për postin e kryeministrit.

Por, kryetari i PDK-së Kadri Veseli, ka bërë të ditur se nuk do të ketë mandatar tjetër, përcjell Bota sot.

Ai ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, derisa ka treguar se ka thirrur në takim Kryesinë e Kuvendit për të hënën për të shpërndarë legjislaturën e deritanishme.

Deklarata e plotë e Veselit:

Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kam vendosur që të hënën, më 5 gusht 2019, të thërras një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, bashkë me Kryetarët e Grupeve Parlamentare, në funksion të veprimeve të cilat duhet t’i ndërmarrim në ditët në vazhdim, konkretisht për të diskutuar për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit të Kosovës.

Kjo mbledhje ka për qëllim të saktësojë në mënyrë zyrtare dhe institucionale qëndrimet e çdo grupi parlamentar në lidhje me situatën e krijuar pas rënies së Qeverisë së Kosovës, si dhe konkretizimin e hapave për përcaktimin sa më të shpejtë të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër.

Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, si gjithmonë, edhe tash, e në të ardhmen, i beson fuqishëm legjitimitetit qytetar.
Qytetarët e Kosovës meritojnë një qeverisje të re, që punon për zhvillim të hovshëm ekonomik, që e lufton korrupsionin pa kompromis, që u ofron perspektivë të rinjve tanë këtu, në Kosovë, që garanton mundësi të barabarta për të gjithë dhe që sjell më shumë të reja e të rinj, ndërmarrës e intelektualë, në lidershipin institucional, për ndryshimet e mëdha që janë të domosdoshme.

Të dashur qytetarë,

Kuvendi i Kosovës është i obliguar edhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit që të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për tejkalimin legal dhe institucional të situatës aktuale.

Shteti nuk guxon të mbetet në vakum institucional dhe pa vendimmarrje legjitime. Është në interesin e qytetarëve dhe të shtetit që të lëvizim shpejt në drejtim të legjitimimit të ri të institucioneve. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve demokratike.

Si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme që vendi sa më shpejtë të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Republika e Kosovës ndodhet para sfidave të mëdha, përballja me të cilat del e suksesshme vetëm duke pasur institucione legjitime dhe Qeveri të zgjedhur nga vota e lirë qytetare.

Andaj, nuk duhet të humbim kohë!

Ju siguroj se vendi ynë ka të gjitha kapacitetet e nevojshme institucionale dhe përvojën e dëshmuar për të organizuar një proces zgjedhor në përputhje të plotë me standardet më të larta demokratike.

Është koha për të dëgjuar vullnetin e sovranit.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat