Haki Rugova paralajmëron se nuk do të jetë vetëm një kandidat për kryetar të LDK-së

Aktuale

Haki Rugova paralajmëron se nuk do të jetë vetëm një kandidat për kryetar të LDK-së

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 22:08
Haki Rugova

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, në një lidhje telefonike në emisionin Pressing, ka deklaruar se nesër mund të ketë më shumë se një kandidat për kryetar të partisë së tij.

Ai ka deklaruar se e gjitha kjo varet nga vullneti personal i secilit nëse dëshiron që të kandidohet.

“Unë besoj se do të ketë edhe kandidatë të tjerë, ajo varet e gjitha në vullnetin që do ta kenë ata të cilët duan të kandidohen” deklaroi Rugova.

Ai deklaroi se partia ka punuar shumë që kuvendi i së shtunës të organizohet në mënyrë solemne dhe do të vërtetohet kandidati konensual për karrigen e kryetarit të partisë.

“Siç e keni parë ditëve të fundit kemi punuar në mënyrë shumë intensive nën udhëheqjen e kryetarit Isa Mustafa dhe unë mendoj që do të shkojmë në mënyrë krejtësisht të organizuar e konensuale e që do të vërtetohet edhe kandidati konsensual” deklaroi ai.

Rugova madje shtoi se kuvendi nesër do të jetë transparent dhe i hapur për të gjithë kandidatët që kanë vullnet të kandidohen.

“Do të hapet mundësia që të gjithë kandidatët të cilët kanë vullnet të kandidohen. Do të jetë e gjitha mirë e organizuar dhe transparente bazuar në rregulloren dhe statutin e LDK’së” deklaroi nënkryetari i partisë.

Ai tutje shtoi se marrëveshja për kandidat konsensual nuk është vetëm për kryetarin por edhe për mënyrën se si do të organizohet partia në të ardhmen, duke lënë të kuptohet se janë zgjedhur edhe nënkryetarët.

“Jo vetëm që ka konsensus por është edhe marrëveshje e cila do të jetë gjithëpërfshirëse për organizimin e ardhshëm të LDK’së” deklaroi Rugova.

Të shtunën në orën 10:00 do të mbahet kuvendi zgjedhor i LDK’së ku edhe do të zgjedhet kryetari i partisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat