Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti, në postime në llogaritë e tyre në rrjetin social Facebook, kanë njoftuar se delegatët e tyre janë gati për kuvendin zgjedhor të partisë që do të mbahet të shtunën në ora 10:00.
Haziri, në një fotografi me delegatët e qytetit të Gjilanit, ka shkruar se “ushtarët” e tij janë unik.
“LDK besë e shpresë për Kosovën. Delegatët e Gjilanit gati e unik për Kuvendin e IX! Uniteti mbi të gjitha” shkroi ai.
Ndërsa Hoti, njoftoi se dega e Rahovecit e mbajti mbledhjen përgatitore për kuvendin e së shtunës. Ai sikurse Haziri, ka dhënë mesazhe uniteti.
“Dega e LDK-së në Rahovec sonte mbajti mbledhjen përgatitore për Kuvendin Zgjedhor që mbahet nesër. Unik” shkroi ai në Facebook.
Të shtunën në orën 10:00 do të mbahet kuvendi zgjedhor i LDK’së ku edhe do të zgjedhet kryetari i partisë. Sipas burimeve, është mësuar se Isa Mustafa do të jetë kandidat konsensual për të parin e partisë.