Kuvendi i LDK-së, analisti parashikon një skenar të mundshëm

Aktuale

Kuvendi i LDK-së, analisti parashikon një skenar të mundshëm

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 07:15
Imer Mushkolaj

Analisti i mirënjohur Imer Mushkolaj gjatë një interviste ditë më parë deklaroi se për LDK-në shumëçka do të dihet pas ditës së sotme kur edhe do të mbahet kuvendi zgjedhor.

Duke analizuar situatën, Mushkolaj tha se nuk përjashtohet mundësia që Isa Mustafa të mbetet kryetar dhe për kryeministër të ketë një tjetër kandidat ose kandidate.

Në përpjekje për të shpëtuar imazhin e LDK-së, Mushkolaj thotë se një kandidate për kryeministre mund të jetë edhe Vjosa Osmani ose një tjetër kandidat që ka qenë kritik i kësaj qeverie.

Ai shtoi se LDK është kritikuar se ka tradhtuar besimin e votuesve pasi ka marrë vota për ta rrëzuar PDK-në dhe në fund ka përfunduar me këtë parti në koalicion.

Sa i përket grupacioneve, Mushkolaj tha se duket që ato ekzistojnë brenda kësaj partie, por nuk ka ndarje si dikur.

“Ka grupacione natyrisht, askush nuk mund ta mohojë se ka grupacione, nuk mundet mbase të flasim për ndarje si kur ka ekzistuar para mbajtjes së Kuvendit të famshëm të karrigeve ku u nda një grup që pastaj krijoi LDD-në, unë besoj se zoti Mustafa nuk është te them në grupin e Hazirit dhe të Veliut, madje kam përshtypjen që ai po kalkulon që të provojë të vazhdojë së mbeturi në krye të partisë duke e caktuar një kandidat ose kandidate për postin e kryeministrit gjë që do ta shpëtonte edhe veten shkurtimisht, por njëfarë forme do të mund të shpëtonte edhe imazhin e LDK-së se mos të harrojmë se zakonisht LDK-ja ka qenë e kritikuar edhe nga vet votuesit e saj për shkak se i ka mashtruar, i ka tradhtuar, duke e përkthyer besimin e tyre në koalicion me SHIK-un dhe PDK-në të cilin zoti Mustafa thoshte se nuk do të ndodhë asnjëherë”, deklaroi Mushkolaj./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat